Ndërlidhjet

Moska përpiqet të thyejë unitetin e BE-së


Ilustrim
Ilustrim

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka premtuar se do të zgjerojë investimet ruse në Greqi dhe ka kërkuar mbështetjen e Athinës për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

“Greqia mund t’i ndikojë marrëdhëniet (e Rusisë) me BE-në”, ka thënë Putin gjatë një vizite në Athinë, muajin e kaluar.

Ai ka marrë përgjigjen që ka dashur nga kryeministri grek, Alexis Tsipras, i cili ka thënë se “të gjithë e pranojnë se nuk mund të ekzistojë e ardhme për kontinentin evropian nëse BE dhe Rusia janë në mosmarrëveshje”.

Ky shkëmbim fjalësh është bërë disa javë përpara një samiti të BE-së, ku liderët do të diskutojnë për zgjatjen ose jo të sanksioneve kundër Moskës. Masat ndëshkuese janë ndërmarrë qysh në vitin 2014, kur Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë.

Diplomatët në Bruksel i kanë thënë privatisht Radios Evropa e Lirë se BE do t’i miratojë sanksionet shumë shpejt, në mënyrë që ndjekësit e samitit të kenë më shumë kohë për të diskutuar daljen e mundshme të Britanisë nga BE-ja.

Moska, në anën tjetër, bën përpjekje të ndikojë vende të caktuara të BE-së, me shpresë se do të minojë unitetin e bllokut. Sanksionet duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj, me miratimin unanim të 28 vendeve anëtare të BE-së.

Një ditë para Putinit në Athinë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka qëndruar në Budapest. Pasi Lavrov ka premtuar se do të rrisë tregtinë me Hungarinë, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka thënë se Budapesti do të kërkojë më shumë debat për sanksionet në të ardhmen.

“Jemi kundër përdorimit të procedurës automatike, duam më shumë bisedime në nivel të lartë politik”, ka thënë ai.

Me këtë strategji, Moska përpiqet të bindë evropianët se nga sanksionet, që po hyjnë në vitin e tretë, nuk vuan vetëm Rusia.

Për Rusinë, sanksionet, së bashku me çmimet e ulëta të naftës, kanë bërë që bruto prodhimi i brendshëm të bie për 3.7 për qind në vitin 2015. Banka Botërore ka parashikuar rënie të mëtejme, për 1.9 përqind, këtë vit.

Bashkimi Evropian, sikurse Shtetet e Bashkuara, u kanë ndërprerë ndërmarrjeve shtetërore ruse qasjen në tregjet financiare perëndimore.

Por, BE-ja është goditur po ashtu nga tkurrja e biznesit me Rusinë, partnerin e tretë më të madh tregtar. Një studim i kryer nga Instituti i Austrisë për Kërkime Ekonomike në vitin 2015 ka vlerësuar se ekonomia e Evropës është e prirë për të humbur rreth 100 miliardë euro, për shkak të sanksioneve ruse, dhe rrezikon rreth dy milionë vende pune. Rusia ia ka shtuar dhimbjen BE-së duke ndaluar importin nga blloku.

Disa vende, përfshirë Greqinë, Hungarinë, Italinë, Qipron dhe Sllovakinë, janë ankuar për dhimbjen ekonomike. Por, deri më tash, asnjë nga murmuritjet nuk është shndërruar në revoltë të hapur.

“Ka pak gjasa që një ose dy vende t’i vënë veto zgjatjes së sanksioneve, sepse do të izolonin veten e tyre brenda BE-së dhe do të përballeshin me shumë presion nga shtetet e tjera anëtare të BE-së”, thotë Paul Ivan, nga Qendra për Politika Evropiane në Bruksel.

Greqia, për shembull, është shumë e varur nga Gjermania dhe Franca, që janë dy kreditoret e saj kryesore. Dhe, kryeministri hungarez, Viktor Orban, është tashmë shënjestër e kritikave të Brukselit, për shkak të veprimeve të njëanshme të tij në kulmin e krizës më migrantë në Evropë, vitin e kaluar.

Disa analistë thonë se debati për sanksione mund të rritet, por politika e BE-së nuk do të ndryshojë derisa Moska nuk ndërmerr hapa për të zbatuar Marrëveshjen e Minskut për paqe në lindje të Ukrainës.

Nëse një vend i BE-së del me deklaratën se do të bllokojë konsensusin për zgjatjen e sanksioneve, ai duhet të ketë argumente të fuqishme. Pyetja e menjëhershme do të jetë: çfarë ka bërë Rusia në këtë drejtim, a ka pasur ndonjë nismë që tregon se Moska do të ndryshojë kursin”, thotë Kalev Stoicescu, nga Qendra Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri në Talin.(REL)

Përgatiti:Valona Tela
XS
SM
MD
LG