Ndërlidhjet

Kërcënimi nga dronët për “Euro 2016”


Ilustrim
Ilustrim

Derisa Evropa përgatitet për kampionatin evropian të futbollit, “Euro 2016”, në disa raporte shqetësuese është theksuar frika se Shteti Islamik (IS) ose ndonjë grup tjetër radikal militant, mund të përpiqet ta shkatërrojë në mënyrë të dhunshme këtë garë ose zhvillimet e tjera madhore këtë verë.

Burime të paemëruara të sigurisë të cituara nga mediet britanike, kanë thënë se të dhënat e gjetura lidhur me të vetmin të dyshuar të gjallë për sulmet vdekjeprurëse në Paris, në nëntor të vitit 2015, sugjerojnë se një celulë e Shtetit Islamik po synon të ndërmarrë sulme kundër simpatizuesve rusë dhe anglezë të futbollit.

Disa nga raportet më trishtuese pretendojnë se dosjet nga laptopi i të dyshuarit Salah Abdeslam, përmendin një sulm kimik me përdorimin e fluturakeve të lejueshme komerciale pa ekuipazh, të njohura si drone.

A janë këto plane të realizueshme?

Eksperti britanik për armatim kimik, Hamish de Bretton-Gordon, i tha Radios Evropa e Lirë se derisa një sulm, i tillë është i mundshëm, do të ishte shumë vështirë të realizohej.

Është e njohur se grupi ekstremist, Shteti Islamik, ka përdorur klor si armatim kundër luftëtarëve kurdë peshmerga në Irak, tha eksperti Bretton-Gordon, dhe shtoi se një sulm efektiv me klor kërkon një sasi të këtij elementi që është larg kapacitetit që mund të arrihet me fluturake komerciale pa ekuipazh.

“Por, sasia e klorit, që ata do të mund ta ngarkonin në dron, sinqerisht, do të jetë shumë e parëndësishme dhe nuk supozoj që ndokush bile do të mendojë për të. Megjithatë, konsideroj se ky është kërcënim që ne duhet ta kemi parasysh, por nuk ka nevojë që ne të jemi të shqetësuar për këtë”, thotë Bretton-Gordon.

Ngarkesa e fluturakes që shitet në tregjet komerciale, pra ngarkesa që ajo mund ta bartë, aktualisht është shumë e kufizuar. Shumica e dronëve, që mund të ngrihen dhe të fluturojnë me katër rotorë, mund të lëvizin përreth me një kamerë brenda në të, për 25 minuta. Ka edhe lloje që mund të bartin deri në 8 kilogramë për periudha më të shkurtra.

“Megjithatë, dronët komercialë në dispozicion, e kanë ngarkesën e vogël dhe një lloj i materies kimike helmuese që duhet ta keni për të pasur një ndikim të rëndësishëm, ju nevojitet të ketë armatim kimik të përshkruar, siç është agjenti nervor sarin ose VX. Tash kjo nuk është e mundshme dhe ne jemi të sigurt se Shteti islamik nuk i ka ato”, tha Bretton-Gordon.

Sulmet në Paris

Ekspertët thonë se sulmet sikur ato, në të cilat janë përdorur armatimet ose eksplozivët paraqesin kërcënim më të besueshëm.

Në Francë ende është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme e shpallur pas sulmeve të koordinuara në Paris, në nëntor të vitit të kaluar, nga të cilat u vranë 130 vetë, në një sallë të koncerteve, afër stadiumit të futbollit dhe në baret dhe restorantet në qendër. Për këto sulme janë fajësuar pjesëtarët e Shtetit Islamik ose simpatizuesit e tij.

Në një lëvizje të pazakonshme, Departamenti Amerikan i Shtetit më 31 maj, e ka publikuar vërejtjen e tretë për udhëtim në Evropë, në dy dekada, duke ua tërhequr vërejtjen shtetasve amerikanë se “numri i madh i turistëve që e vizitojnë Evropën, gjatë muajve të verës, do të paraqesë caqe më të mëdha për terroristët”.

Pos për kampionatin e futbollit “Euro 2016”, që fillon më 10 qershor dhe zgjat deri më 10 korrik, në vërejtjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, përmendet edhe kërcënimi i mundshëm kundër garës çiklistike, “Tour de France”, si dhe Dita e Rinisë e Kishës Katolike në Krakov të Polonisë, që pritet t’i ketë afro 2.5 milionë vizitorë.

Shefat e agjencive të spiunimit të Francës dhe Gjermanisë, po ashtu, aktualisht kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun nga sulmet e Shtetit Islamik gjatë spektaklit të futbollit, që organizohet çdo katër vjet.

Sikur edhe në tërheqjen e vërejtjes nga ana e Shteteve të Bashkuara, edhe shefat e agjencive të spiunimit të Francës dhe Gjermanisë kanë thënë se nuk ka dëshmi specifike se ndonjë sulm po planifikohet.

Në këtë aspekt, eksperti anti-terror në Institutin e Bashkuar Mbretëror të Studimeve me seli në Londër, Raffaello Pantucci, tha:

“Mendoj se ne kemi të bëjmë me kërcënim që është i vërtetë dhe substancial dhe konsideroj se është i tillë që forcat e sigurisë duhet t’i përgjigjen në mënyrë që ta shtojnë kujdesin në mesin e publikut”.

Pritet që kampionatin evropian të futbollit do ta ndjekin afro 2.5 milionë simpatizues në stadiumet franceze, përfshirë 1 milion dashamirë të jashtëm të kësaj loje.

Franca tashmë ka njoftuar se do të vendosen 90 mijë pjesëtarë të forcave të rendit për sigurinë e turneut.

Mediet britanike kanë raportuar se në të dhënat e gjetura në kompjuterin e Abdeslamit, përfshihen fotografi dhe përmendet Porti i Vjetër i Marsejit, ku do të tubohen simpatizuesit anglezë për ndeshjen e hapjes kundër Rusisë, më 11 qershor.

Përgatiti: Fatmir Bujupi, REL
XS
SM
MD
LG