Ndërlidhjet

Sulm vdekjeprurës në qendër të Stambollit


Sulm vdekjeprurës në Stamboll
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

Stamboll, 7 qershor 2016.

Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 36 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim me bombë në qendër të Stambollit.

Guvernatori i qytetit, Vasip Sahin, ka thënë se shtatë policë gjenden në mesin e të vdekurve.

Sipas raporteve, një pajisje e telekomanduar ka shpërthyer derisa një autobus i policisë ka kaluar pranë Universitetit të Stambollit.

Pamjet televizive kanë treguar autobusin e shkatërruar dhe fasadat e ndërtesave pranë të dëmtuara. Sipas disa njoftimeve, të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në zonë, edhe pas shpërthimit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia “do t’i luftojë terroristët deri në fund”.

“Sulmet po kryhen kundër njerëzve që kanë për detyrë të garantojnë sigurinë e popullit tonë. Ato nuk mund të tolerohen apo falen. Duhet të vazhdojmë luftën tonë kundër terroristëve, pa pushim, deri në fund”, ka thënë Erdogan derisa ka vizituar disa të plagosur në spital.

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se sulmuesit janë aq zemërftohtë saqë shpërthejnë bomba gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Grupi militant Shteti Islamik dhe militantët kurdë kanë kryer sulme të përgjakshme në Turqi, në muajt e fundit.

Turqia është pjesë e koalicionit që udhëheq SHBA-ja kundër Shtetit Islamik dhe u lejon avionëve të këtij koalicioni të përdorin bazën e saj ajrore Incirlik për sulme në Irak dhe Siri.

Armëpushimi dyvjeçar midis Turqisë dhe militantëve kurdë u prish verën e kaluar.

Që atëherë, forcat turke janë duke e luftuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila kërkon më shumë autonomi në zonat në juglindje të Turqisë.

Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i referohen Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit si organizatë terroriste.

Sulmet e muajve të fundit – më vdekjeprurësi në nëntor të vitit 2015, i cili ka lënë të vrarë mbi 100 veta në Ankara – kanë goditur rëndë sektorin e turizmit në Turqi.

Numri i vizitorëve të huaj atje ka rënë për 28 përqind në muajin prill, që është rënia më e madhe në 17 vjet. (v.tela)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG