Ndërlidhjet

Raport i HRW për fëmijët me aftësi të kufizuara: “Ëndërroj të largohem nga ky vend”


Serbi - Human Rights Watch
Serbi - Human Rights Watch

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch ka lëshuar alarmin për fëmijët me aftësi të kufizuara që gjenden nëpër institucione për mirëqënie sociale në Serbi.

Raporti është përpiluar në bazë të 118 intervistave me fëmijët me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe zyrtarët e institucioneve për këta fëmijë dhe zyrtarët e qeverisë.

Qindra fëmijë me aftësi të kufizuara që janë të vendosur nëpër institucionet e mirëqënies sociale në Serbi, përballen me izolim dhe mospërfillje, diçka që mund të çojë deri te zhvillimi i ngadalsuar intelektual, emocional dhe fizik i tyre”, vlerësohet në raportin e HRW.

Historia e Julias (e transmetuar me pajtimin dhe lejen e prindërve dhe HRW)

Vajza 4 vjeçare, Julia është lindur me sindromin Apert, që ndër të tjera shkakton humbjen e shikimit, dëgjimit dhe vështirësi në frymarrje.

“Për çdo familje është tronditje e madhe kur e shihni se keni një fëmijë të sëmurë, dhe ajo që është edhe më dekurajuese është fakti që tekstualisht nuk ka kush të kujdesit për ju”, i ka thënë HRW nëna e Julias, Jasmina Çukoviq.

Zyrtarët shëndetësor e kanë këshilluar Jasminën dhe bashkëshortin e saj, Ivica që më së miri është që ta lënë vajzën në një institucion për fëmijët me aftësi të kufizuara. Bile Jasmina kujtohet se një nga ndihmësmjeket i ka thënë asaj: “do të keni fëmijë tjetër, mos qaj”.

“Julia mbeti në Zveçan... Pas dy ditësh kemi shkuar ta vizitojmë dhe nga një fëmijë që buzëqeshte dhe ishte e gjallë nuk ishte mbetur asgjë. I kishte humbur shikimi dhe ishte dobësuar dukshëm”, shton Jasmina.

Pas kësaj vizite, Ivica thotë të kenë vendosur që ta kthejnë vajzën në shtëpi.

“Kur Julia është në shtëpi dhe e rrethuar me të gjithë ne ajo është një fëmijë tjetër...kur qëndron në institucion ajo bëhet fëmijë tjetër”, thotë Ivica.

Vajza katërvjeçare tani është kthyer në shtëpi me prindërit në Kragujevc, ndërsa në filmimet e HRW shihet sesi vajza vrapon nga duart e nënës te babai i saj.

Shembulli i kësaj familje paraqet kritikat dhe rekomandimet thelbësore të shkruara në raportin e Human Rights Watch, me titullin: “Ëndërra ime është që të largohem nga ky vend”, Fëmijët me aftësi të kufizuara në institucionet serbe”.

“Ajo që qeveria serbe duhet të bëjë është që në vend të investimit në institucione sociale që shtetit i kushtojnë nga 320 euro për muaj për çdo fëmijë, këto para është më mirë të investohen në shërbime në komunitetet lokale”, vlerëson Emina Çerimoviq, e cila së bashku me ekipin e saj të HRW ka vizituar pesë institucione të tilla në Serbi.

Në tri nga pesë institucione të tilla, fëmijët kanë qëndruar në prani të të rriturve, diçka që sipas standardeve ndërkombëtare e rrit rrezikun e abuzimit me ta. Vërehet gjithashtu një numër i vogël i punonjësve në raport me numrin e banorëve, ndërkaq 60% e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përjashtuar nga sistemi arsimor.

Ekipi i HRW në të gjitha institucionet e tilla ka gjetur edhe departamente për “rastet më të rënda”, ku fëmijët me aftësi të kufizuara qëndrojnë gjithë ditën të shtrirë, pa kurrfarë kontakti me të tjerët.

“Jemi kthyer 2000 vjet prapa”.

Të dhënat e këtij raporti nuk e kanë befasuar zëvendës Avokatin e Popullit, Milosh Jankoviqin i cili thotë se qysh para tre vjetësh të njëjtat rekomandime iu kishte dërguar autoriteteve pasi e kishte vizituar një nga institucionet të quajtur Veternik.

Ky institucion, para pak kohësh, kishte tërhequr vëmendjen e opinionit në Serbi kur një banor aty e kishte humbur jetën pasi objekti ishte përfshirë nga zjarri.

“Në Greqinë e vjetër ka ekzistuar dënimi që dikush të përjashtohet nga komuniteti. Ne jemi kthyer 2 mijë vjet prapa. Njëjtë sikur grekët e vjetër që i kanë përjashtuar ata nëse nuk kanë menduar politikisht ashtu siç është dashur në pajtim me atë demokraci greke, edhe ne sot, pa kurrfarë faji, i lëmë jashtë njerëzit që në shumicën e rasteve për tërë jetën do të qëndrojnë në këto institucione”, vlerëson Jankoviq.

Pas publikimit të raportit të HRW, Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Ministrinë e Punës, Punësimit dhe Politikave Sociale, mirëpo deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG