Ndërlidhjet

Moska: Kosova të zbatojë marrëveshjet me Serbinë

  • RFE /RL

Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Gennady Gatilov

Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Gennady Gatilov

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, ka nisur një vizitë zyrtare në Moskë të Rusisë, me qëllim të, siç thuhet, mbajtjes së kontakteve me vendet që janë të interesuara për gjendjen në Kosovë.

Një zëdhënës i misionit UNMIK, Jan Malekzade, i tha Radios Evropa e Lirë se Tanin ka takuar zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme Ruse, përfshirë edhe zëvendësministrin Gennady Gatilov, për të diskutuar çështjet rajonale.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm mban kontakte të afërta me të gjitha shtetet e interesuara për gjendjen në Kosovë dhe në veçanti me vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Ai së voni ka vizituar Uashingtonin dhe tani ndodhet në Moskë për të biseduar drejtpërdrejt me homologët e Federatës Ruse”, tha Jan Malekzade.

Misioni i OKB-së, që udhëhoqi me Kosovën që prej përfundimit të luftës e deri në shpalljen e pavarësisë së saj më 2008, prej mijëra punonjësve të saj ka zvogëluar numrin në disa qindra, duke kryer një rol të një zyreje politike. Misioni që funksionon mbi bazën e një Rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që prej vitit 1999, në baza të rregullta tre mujore harton raporte për sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për gjendjen në Kosovë.

Vizita e shefit të UNMIK-ut në Moskë, Zahir Tanin, bëhet pak javë para raportimit të radhës për gjendjen në Kosovë dhe në pritje të rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ndërkohë, sipas një kumtese për media të Ministrisë së Jashtme ruse, në takimin me Tanin, zëvendësministri i jashtëm rus, Gennady Gatilov, i bëri thirrje Kosovës që të përmbushë obligimet e saj për të cilat ka arritur marrëveshje me Serbinë.

“Gatilov theksoi nevojën e zbatimit të obligimeve që pala shqiptare e Kosovës ka marrë me marrëveshjet e arritura me palën serbe”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme ruse, të cilën e citon agjencia e lajmeve Sputnik. Gjithashtu në kumtesë thuhet se pala ruse ka ritheksuar rëndësinë e punës se misionit të OKB-së në Kosovë, në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG