Ndërlidhjet

Thaçi: Raportet me Serbinë janë më të mira sesa që prezantohen 


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shumë më të mira sesa që prezantohen në opinion, ka deklaruar të enjten në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente ai i bëri gjatë një ligjërate kushtuar Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Këshilli Evropian për Politikë të Jashtme. Thaçi është zotuar se Kosova do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për normalizimin e raporteve me Serbinë fqinje.

Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se së shpejti do të formohet grupi punues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Puna e këtij komisioni, ka thënë Thaçi, do të jetë në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë, në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës ka thënë se prej kur është zgjedhur në këtë post, ai shërben si element unifikues dhe se prej atij momenti në Kosovë, sipas tij, nuk ka pasur më as gaz lotsjellës e as hedhje të koktejeve të molotovit.

Presidenti Thaçi ka thënë se ai respekton mendimin e të gjithëve, por nuk mund të pajtohet me ata që kundërshtojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke u vënë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Andaj, ka paralajmëruar se Kosova do ta ratifikojë këtë Marrëveshje në Kuvend.

Duke folur për raportet me vendet e rajonit, Thaçi ka thënë se Kosova ka raporte shumë të mira me këto shtete, ndonëse problemet kryesore mbeten në raportet me Bosnje e Hercegovinën, për shkak të bllokadave që në atë shtet paraqet entiteti Republika Srpska.

Thaçi ka thënë se madje edhe nga Beogradi është kërkuar që të ndihmojë për të hequr pengesat për zhvillimin e raporteve të Kosovës me Bosnje e Hercegovinën, por është thënë se as ata nuk kanë ndikim, pasi që vetëm Rusia atje mund të ketë ndikim.

Presidenti i Kosovës ka tërhequr vërejtjen se nëse Bashkimi Evropian krijon hapësirë të zbraztë në rajon, atëherë këtë mund të shfrytëzojë si mundësi, Rusia.

Ai ka thënë se në Bruksel ndoshta ka lodhje nga zgjerimi, por në Ballkan ka lodhje nga pritja.

Më pas, presidentit Thaçi i janë shtruar shumë pyetje nga të pranishmit lidhur me çështjen e radikalizmit islam në Kosovë. Ai ka thënë se Kosova është shembull në rajon dhe më gjerë në luftën kundër këtyre dukurive. Po ashtu, ka përmendur se Kosova e para ka miratuar ligjin që sanksionon shkuarjen e qytetarëve të saj në luftërat e huaja, që ndërlidhet drejtpërsëdrejti me luftërat në Siri dhe Irak. Njëherësh, ka theksuar Thaçi, tashmë janë gjykuar shumë njerëz për veprimet e tyre.

Duke përmendur se për më shumë se shtatë muaj asnjë person nga Kosova nuk ka shkruar për të luftuar në Siri dhe Irak, presidenti Thaçi ka deklaruar po ashtu se rreth 60 shtetas të Kosovës të cilët ndodhen në Siri dhe Irak janë identifikuar. Shkuarja në këto lufta është e sanksionuar dhe e dënueshme, andaj ai ka potencuar se ata mund të përballen me drejtësinë sapo të kthehen në Kosovë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG