Ndërlidhjet

Ministrat e BE-së pa vendim për viza për katër shtete

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që kanë filluar takimin në Luksemburg për liberalizimin e vizave për katër shtete, përfshirë dhe Kosovën, nuk pritet të sjellin ndonjë vendim për asnjë nga to.

Gjasat më të mëdha për vendim formal për heqjen e vizave ka pasur Gjeorgjia, por për shkak të disa shqetësimeve që kanë shprehur disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, vendimi do të shtyhet për ndonjë afat tjetër.

Ministri i brendshëm i Holandës, Klaas Dijkhof, tha se “nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të marrë vendim (të premten)”, duke iu referuar Gjeorgjisë, për të cilën që në dhjetor të vitit të shkuar Komisioni kishte konstatuar se i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

“Duhet të pranojmë se disa shtete ende kanë vërejtje ndërsa po diskutojmë se si t’i ndajmë këto shqetësime dhe t’i zgjidhim ato”, tha ministri holandez Dijkhof, vendi i të cili është kryesues i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së.

Burime në BE thonë se “nëse për Gjeorgjinë është aq e vështirë, marrë parasysh se ndodhet shumë përpara tri vendeve tjera (Ukrainës, Kosovës dhe Turqisë), atëherë gjasat janë që edhe për vendet tjera të mos ketë vendim të shpejtë”.

Shtetet e BE-së duan që të sigurohen se Parlamenti Evropian së pari do të miratojë mekanizmat për suspendimin e shpejtë të vizave, në rast të shpërdorimit masiv të lirisë së lëvizjes, e vetëm pastaj në Këshill vendet anëtare do të miratonin vendimin për heqjen e vizave për vendet përkatëse.

Kur të hyjnë në fuqi mekanizmat e suspendimit, ato do të vlejnë për të gjitha shtetet për të cilat ekziston lëvizja pa viza. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG