Ndërlidhjet

“Kosova nuk është bërë shtet funksional”


Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë "NEWBORN"
Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë "NEWBORN"

Të dielën u bënë 17 vjet kur në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe.

Shtatëmbëdhjetë vjet me parë nisi hapja e një kapitulli të ri për popullin e Kosovës, një epokë e zhvillimit, përparimit dhe dinjitetit e barazisë qytetare, pa dalim, kanë deklaruar udhëheqës të shtetit.

Që atëherë, 12 Qershori kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklaratë të tij të postuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se "kjo ditë shënoi fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë në Kosovë.

“Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, ne jemi në rrugë të mbarë për ta jetësuar aspiratën për një Kosovë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Të bashkuar si 17 vjet më parë, ne duhet ta rikthejmë entuziazmin dhe ta transformojmë atë në zhvillim të vendit dhe në mirëqenie të qytetarëve", ka shkruar presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se lëvizja gjithë popullore paqësore, lufta heroike çlirimtare dhe ndërhyrja ushtarake e miqve euro-atlantikë, rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe nisjen e epokës së krijimit të shtetit.

"Sot, Kosova është Republikë e pavarur, e njohur nga në shumë se gjysma e vendeve të botës, me procese të avancuara euro-integruese, pjesë e organizmave të shumtë ndërkombëtarë politikë, ekonomikë e sportivë. Qytetarët e Kosovës sot janë më të vendosur se kurrë, që në partneritet me SHBA-në dhe vendet e BE-së, ta bëjnë Kosovën shtet të denjë të familjes evropiane, pjesë të NATO-s dhe të zhvilluar ekonomikisht", ka thënë Mustafa.

Një nga sfidat më të mëdha në Kosovën e pasluftës mbetet veriu i saj. Atje, strukturat paralele serbe, që mbështeten edhe nga Beogradi, nuk kanë lejuar shtrirjen komplet të autoritetit të institucioneve të shtetit të Kosovës.

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe liderët politikë, nuk duhet të jenë të kënaqur me të arriturat e pakta, duke harruar mundësinë për më shumë, vlerësojnë analistët politikë në Kosovë.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, duhet të bëjnë më shumë në të gjitha drejtimet, sidomos në zhvillimin e vendit, në aspektin ekonomik.

"Institucionet, liderët politikë nuk kanë arritur që të ndërtojnë një shtet funksional, i cili konsideroj se është dashur shumë më herët që të arrijë në një nivel të funksionimit të mirëfilltë".

"Dhe, në anën tjetër, ballafaqohemi edhe me problemet, të cilat prapë për 17 vjet do të duhej të ishin zgjidhur sidomos kur bëhet fjalë për nivelin e korrupsionit, nivelin e krimit të organizuar por edhe përmirësimet në fushat e tjera të rëndësishme - kam parasysh këtu shëndetësinë dhe arsimin. Natyrisht, institucionet, liderët politikë duhet të bëjnë shumë më shumë për shtetndërtimin e Kosovës", thotë pos tjerash Mushkolaj.

Në anën tjetër, ekspertët e çështjeve të sigurisë, konsiderojnë se trupat e NATO-s kanë arritur që të përmbushin qëllimin kryesor, vendosjen e rendit dhe ligjit, përkatësisht stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Pas fushatës ajrore prej 78 ditësh, para 17 vjetësh, trupat e NATO-s zbarkuan në Kosovë.

Ndërhyrja u pasua edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë. Me Kushtetutë, kjo ditë njihet si Dita e Paqes apo Dita e Çlirimit të Kosovës.

Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa ky mekanizëm nuk vendos ndryshe.

Në momente të caktuara, NATO kishte dërguar deri në 50 mijë ushtarë të saj në Kosovë, ndërsa sot, 17 vjet pas çlirimit, në Kosovë operojnë pothuajse 4600 ushtarë.

XS
SM
MD
LG