Ndërlidhjet

logo-print

Hoti: Fondi për veriun integron serbët


Intervistë me ministrin e Financave, Avdullah Hoti

Intervistë me ministrin e Financave, Avdullah Hoti

"Që nga viti 2013 kur është krijuar Fondi Zhvillimor për veriun e Kosovës, nga dy pikat kufitare në atë pjesë janë grumbulluar rreth 10 milionë euro, 6 milionë nga të cilat janë në proces të investimit në projekte të ndryshme", ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave Avdullah Hoti, duke shtuar se ky fond ka përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve në atë pjesë, njëherësh ndikim pozitiv ka pasur edhe në integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ministër, sa është shumë e mjeteve të investuara në veriun e Kosovës dhe në çfarë projektesh janë shpenzuar ?

Avdullah Hoti: Në bazë të marrëveshjes që është bërë në vitin 2013, që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ligjit vjetor të buxhetit, ndajmë një përqindje të të hyrave nga dy pikat doganore në veri, për Fondin Zhvillimor për Mirëbesim për komunat në veri.

Deri më tash në këtë fond janë grumbulluar deri në 10 milionë euro, prej të cilave mbi 6 milionë euro, ka vendime të bordit të këtij fondi, për t’u shpërndarë nëpër projekte.

Bordi kryesohet prej përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, nga ministri i Financave dhe nga përfaqësuesi i komunave në veri. Ne mblidhemi për çdo dy - tre muaj varësisht kur vijnë kërkesat nga komunat në veri, i shqyrtojmë ato, sigurohemi që kërkesat e tyre për financim janë në përputhje me qëllimet e fondit, zhvillimi ekonomik dhe social dhe integrimi i tyre në pjesën veriore në ekonomi, shoqëri dhe në përgjithësi përmirësimi i cilësisë së jetës se qytetarëve në atë pjesë.

Radio Evropa e Lirë: Përveç dy pikave kufitare ka ndonjë agjenci tjetër që grumbullohen mjetet për atë pjesë?

Avdullah Hoti: Vetëm nga të hyrat doganore në dy pikat kufitare në veri.

Radio Evropa e Lirë: Deri më tani a ka pasur projekte konkrete nga autoritetet e asaj pjese për të shpenzuar mjetet e grumbulluara nga ky Fond. Ku konkretisht janë shpenzuar?

Avdullah Hoti: Ka pas projekte në infrastrukturë bukur shumë në rrugë lokale nëpër fshatrat e asaj pjese, në furnizim me ujë, në renovim të objekteve publike, në shpronësime për qëllime të ndërtimit të objekteve publike dhe projekte të ndryshme.

Unë atë që jam siguruar si ministër i Financave është të aprovojmë vetëm ato projekte që janë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në aneksin e marrëveshjes, ku tregohen se cilat kritere duhet të plotësohen që një projekt të financohet dhe çfarë qëllimi duhet të arrihet me shpenzimin e këtyre mjeteve.

Radio Evropa e Lirë: A është vërejtur ndonjë përmirësim i cilësisë së jetës së tyre pas shpenzimit të këtij fondi?

Avdullah Hoti: Unë besoj se po, sepse siç e dini këto komuna një kohë të gjatë nuk kanë qenë të integruara plotësisht në pjesën tjetër të vendit dhe në plotë projekte që janë implementuar në komunat tjera, nuk janë implementuar në këto komuna për shkak të problemeve politike. Normal se këto komuna kanë mbetur prapa. Qëllimi i Fondit është cilësia e jetës, zhvillimi ekonomik në këto komuna të vjen në nivel të komunave tjera në Kosovë dhe të integrohen plotësisht në rrjedhat sociale dhe ekonomike të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, zoti ministër, a rrezikohet buxheti i Kosovës nga krijimi i këtij Fondi ?

Avdullah Hoti: Aspak, shuma që mblidhet është relativisht e ulët dhe normalisht ky është fond i përkohshëm që ka për qëllim zhvillimin e asaj pjese të vendit dhe integrimin e saj në pjesën tjetër të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kur thoni i përkohshëm, për çfarë periudhe kohore bëhet fjalë?

Avdullah Hoti: Nuk mund të them, sepse unë nuk i kam kapacitetet për të thënë se deri kur mund të vazhdojë. Por, atë që mund të them është se ne për çdo vit e fusim në Ligjin e Buxhetit. Pra, nuk është një ndarje buxhetore e përhershme, por është vjetore. Kur të vlerësohet se më nuk ka nevojë të shkohet më tutje më këtë Fond, unë besoj që shumë shpejtë nuk do të ketë nevojë të shkohet me këtë Fond, sepse prej vitit të kaluar komunat në veri janë të integruara plotësisht në sistemin e buxhetit të komunave.

Formulën e granteve komunale vitin e kaluar, dhe këtë vit ne kemi insistuar strikt që të zbatohet edhe për ato komuna. Dhe ato kanë pasur gatishmëri të plotë për të implementuar Ligjin për Financa dhe Pushtetin Lokal.

Në mars kemi pasur një pauzë sepse ata nuk aprovonin buxhetet e tyre në përputhje më Ligjin për Financa dhe Pushtetin Lokal. Ne insistuam në atë dhe pas disa raundeve të bisedave që kemi pasur me kryetarët e komunave në atë pjesë, ata u dakorduan dhe u futën në këtë pjesë.

Ndërkohë që për këtë vit prapë kemi kaluar më të njëjtën procedurë, tani janë bërë pjesë e financimit të rregullt. Tashmë e kemi lëshuar qarkoren për vitin 2017 për borxhet komunale dhe kemi marrë parasysh specifikat e këtyre komunave sikurse edhe komunave tjera.

Pra, është çështje shumë e përkohshme derisa këto të integrohen plotësisht në sistemin ekonomik të vendit

Radio Evropa e Lirë: Pas gjithë kësaj, zoti ministër, sa ka filluar te ndryshojë përceptimi për Prishtinën (institucionet e Kosovës) nga qytetarët serb të veriut?

Avdullah Hoti: Informatat që unë kam, mund të them se gjendja ka ndryshuar shumë. Deri në vitin 2014 institucionet e Kosovës kanë pasur shumë pak qasje në atë pjesë te vendit. Ndërsa sot, sa i përket financimit të komunave ato plotësisht janë integruar dhe bashkëpunojnë me departamentin e Thesarit dhe departamentet tjera në Ministrinë e Financave, sikurse çdo komunë tjetër.

Unë kam takime shumë të shpeshta me kryetarët e asaj pjese. Vijnë në takime në qeveri tek kryeministri, në Ministrinë e Financave apo drejtpërdrejtë me drejtorin e buxhetit për t’i zgjidhur të gjitha çështjet. Pra, është krijuar një komunikim normal, sikur çdo komunë tjetër, por më kërkesa të veçanta, pasi ata për një kohë të gjatë kanë qenë të shkëputur nga sistemi krahasuar me komunat tjera.

Ne atje kemi zyrën doganore, kemi dy pika doganore dhe terminalin doganor në Mitrovicë dhe them me kënaqësi që këto pika doganore janë stabilizuar përfundimisht dhe punojnë sikurse të gjitha pikat doganore në gjithë vendin. Vitin e kaluar kemi pasur inkasime mbi 40 milionë euro nga këto dy pika doganore.

Zyra e Administratës Tatimore e Kosovës që është në jugun e Mitrovicës tani ka filluar të regjistrojë në mënyrë masive biznese në pjesën veriore të vendit. Ato biznese tashmë po i marrin numrat fiskal, e marrin dokumentacionin nga zyra e ATK- së dhe dalngadalë po futen në sistem. Normalisht që do kohë që të krijohet një perceptim pak më i mirë sa i përket lirisë së lëvizjes, të bërit biznes në atë pjesë të vendit, por besoj se jemi në rrugë të mbarë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG