Ndërlidhjet

logo-print

Shtyrja e liberalizimit zvarritë ratifikimin e demarkacionit


Ilustrim - Hartë - Kosova dhe shtetet që e rrethojnë

Ilustrim - Hartë - Kosova dhe shtetet që e rrethojnë

Koalicioni qeverisës vazhdon të mos e procedojë në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit. Paralajmërimet e fundit nga Brukseli se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të zbatohet gjatë vjeshtës duket se i ka dhënë më shumë komoditet qeverisë që këtë çështje të mos e fusë ende në procedurë.

Koha shtesë, sipas analistëve politik, do t’i nevojitet koalicionit që të provojë të hap dialogun me opozitën, e cila është vënë ashpër në kundërshtim të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, duke kërkuar rinegociimin e saj.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, thotë se paraprakisht do të duhej të kishte një konsensus të gjerë politik, pasi që bëhet fjalë për tërësinë territoriale të Kosovës.

“Të shpresojmë që do të kemi një vendimmarrje të shpejtë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që përfundimisht lëvizja e lirë e qytetarëve tanë të jetë ajo e cila duhet të jetë sikurse në gjithë rajonin”, ka deklaruar Veseli.

“Të njëjtën kohë do të procedojmë edhe në bazë të interesave të vendit tonë dhe në çështjen e demarkacionit. Çka është më kryesore duhet të kemi konsensusin e përbashkët që për vendimet të cilat janë të mëdha dhe që kanë të bëjnë me tërësinë territoriale të kemi edhe konsensusin e përbashkët”, ka thënë Veseli.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, duke e cilësuar atë si të dëmshme, që si pasojë sjell humbjen e mbi 8 mijë hektarëve tokë të Kosovës.

Krahas opozitës është edhe një numër i caktuar i deputetëve nga partitë në pushtet që nuk e mbështesin marrëveshjen aktuale për demarkacionin me Malin e Zi. Ratifikimi i kësaj marrëveshje kërkon minimumin prej 80 votave të deputetëve apo dy të tretat e deputetëve.

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, thotë se kjo marrëveshje nuk do të duhej të procedohej në Kuvend për ratifikim, para se të rishikohet edhe një herë nga një komision i përzier nga pushteti dhe opozita. Edhe ashtu, ka nënvizuar Krasniqi, sinjalet nga Brukseli janë që liberalizmi i vizave mund të ndodh në fund të vitit, kështu që Kuvendi ka kohë të mjaftueshme të ballafaqohet me këtë çështje.

“Është me interes që gjatë kësaj kohe sa presim dhënien e dritës jeshile nga ana e Parlamentit dhe instancave tjera të Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave të mund të krijohet ky komision i veçantë, ta rishikojë këtë marrëveshje dhe më pastaj mund të sillet në Kuvend”, ka theksuar Krasniqi.

“Çfarëdo veprimi i njëanshëm nga partitë në pushtet, pra nga qeveria në këtë rast, do të ishte i rrezikshëm dhe do të mund ta përkeqësonte dhe thellonte krizën politike me të cilën tash e një kohë të gjatë po ballafaqohemi”, ka thënë ai.

Ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit është përmendur nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian si kusht para se Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së të miratojnë zbatimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian.

Megjithatë, në Kosovë ka kundërthënie dhe mospajtime të shumta nëse demarkacioni ka shënuar drejt vijën kufitare me Malin e Zi. Opozita madje ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve të ndryshme për të kundërshtuar këtë marrëveshje. Andaj, mbetet të shihet nëse qeveria do të ndërmarrë hapin final të dërgimit të saj për ratifikim në Kuvend apo do t’i japë fillimisht një rast bisedimeve me opozitën. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG