Ndërlidhjet

BDI kërkon dorëheqjen e Ivanovit, opozita maqedonase votë mosbesimi


Presidenti Ivanov në Kuvendin e Maqedonisë

Presidenti Ivanov në Kuvendin e Maqedonisë

Deputetët e opozitës në Maqedoni, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, thanë në Kuvend se me aktet për faljen e politikanëve që hetohen nga Prokuroria Speciale, presidenti Ivanov ka shkelur Ligjin për falje dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Ata kanë nisur një propozim për votën e mosbesimit për presidentin e Maqedonisë Gjorgje Ivanov pas vendimit të tij për faljet.

“Gjorgje Ivanov si president i shtetit duhej të ishte sot këtu dhe hapur të thotë se kush e urdhëroi ta marrë një vendim të tillë edhe përkundër asaj se qytetarët në vazhdimësi janë shprehur kundër këtij vendimi duke protestuar për çdo ditë. Por, gjithsesi dhe bashkësia ndërkombëtare qartë është shprehur se përpara drejtësisë të gjithë duhet të jenë të barabartë”, ka thënë Goran Misovski deputet i LSDM-së.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se për t’u zgjidhur kriza politike Gjorgje Ivanov duhet të japë dorëheqje nga detyra e presidentit të shtetit.

“Ne si parti mendojmë se si akt moral Gjorgje Ivanov duhet sa më parë të ofrojë dorëheqje. E themi këtë sepse mendojmë se Ai ka rrënuar imazhin e vendit njëherësh duke nxitur revoltë tek qytetarët për çka ata kanë dalë dhe në rrugë për të protestuar. Mendojmë se dorëheqja e Ivanovit do t’i hapte rrugë Maqedonisë që të dal nga kiza”, tha për Radion Evropa e Lirë Rafiz Haliti nga BDI.

Por, deputetët e VMRO DPMNE-së në pushtet të udhëhequr nga ish kryeministri Nkolla Gruevski në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë thanë se kërkesa për votën e mosbesimit është tërësisht e paqëndrueshme dhe nuk bazohet në argumentet ligjore.

Vlatko Gjorcev deputet i VMRO DPMNE-së ka mbrojtur qëndrimin se përmes kërkesës për përgjegjësi synohet të goditet personaliteti i Gjorgje Ivanovit si president i shtetit.

“Gjorgje Ivanov si president i këtij shteti përgjigjet vetëm para qytetarëve të Maqedonisë dhe në momentin që ata kanë mundur të votojnë kanë shprehur besimin e tyre ndaj Ivanovit me një dallim të thellë ndaj konkurrentëve të tij për dy mandate radhazi”, ka theksuar deputeti i VMRO DPMNE-së Vllatko Gjorcev.

Për të filluar proceduara para Gjykatës Kushtetuese për konfirmim e përgjegjësisë së presidentit, nevojitet që paraprakisht pro votës së mosbesimit të deklarohen 82 deputetë.

Iniciativën për votën e mosbesimit për presidentin e Maqedonisë e ka ngritur partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe e njëjta është mbështetur dhe nga deputetët shqiptarë, ata të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare pas vendimit të presidentit Ivanov për faljen e 56 personave.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare më 27 maj tërhoqi një pjesë të vendimit të tij për faljen e politikanëve për ta tërhequr plotësisht vendimin më 6 qershor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG