Ndërlidhjet

Kuvendi vendos për mandatin e EULEX-it


Ilustrim
Ilustrim

Kuvendi i Kosovës pritet që në një seancë të jashtëzakonshme, të cilën do ta mbajë sot, të vendosë për vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.

Qeveria i ka proceduar Kryesisë së Kuvendit projektligjin, i cili do të vihet për miratim në Kuvend.

Sipas procedurave, miratimi i vazhdimit të mandatit të EULEX-it kërkon dy të tretat e votave të deputetëve.

Partitë e koalicionit qeverisës tashmë janë pajtuar për t’i vazhduar edhe për dy vjet mandatin misionit të BE-së, por me kërkesën që të reduktohen tutje kompetencat e këtij misioni.

Oopozita, ndërkaq, do të veprojë në forma të ndara.

Vetëvendosje ka paralajmëruar pjesëmarrjen në seancë, por edhe kundërshtimin e vazhdimit të mandatit të EULEX-it, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën nuk pritet të jenë fare në seancë.

Para se qeveria të kërkojë nga kuvendi miratimin për zgjatjen e mandatit të EULEX-it deri në vitin 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në të cilën ai e ka mirëpritur vazhdimin e këtij mandati.

EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian i shtrirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin dhe monitorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008, për të ndihmuar rendin ligjor pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ky mision ka trashëguar një pjesë të kompetencave nga misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

XS
SM
MD
LG