Ndërlidhjet

Praktika e mosndëshkimit rrit pasigurinë në veri


Ilustrim
Ilustrim

Çështja e mungesës së sigurisë në veri të Kosovës është aktualizuar sërish në fundjavën e kaluar, pas plagosjes së dy të rinjve me armë zjarri në një lokal në Zveçan dhe më pas, në një incident tjetër, është plagosur lehtë një polic nga një sulm me bombë, e cila është hedhur mbi një patrullë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të veriut.

Shefi i operativës i policisë rajonale të Mitrovicës së veriut, Zheljko Bojiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se policia po punon në përputhje me ligjin dhe me rregulloret, por, siç ka theksuar ai, nevojitet kyçja e shumë faktorëve për të siguruar një ambient të sigurt.

Sipas tij, ky problem kërkon qasjen e drejtpërdrejtë të qeverisjes lokale, e cila i sjell vendimet lidhur me orarin e punës së lokaleve dhe kafiterive.

“Aktualisht, sipas vlerësimeve tona, është pikërisht puna e lokaleve, të cilave u është lejuar të punojnë më shumë se zakonisht, në Mitrovicë dhe në Zveçan”, ka thënë Bojiq.

Sipas tij, për shkak të situatës së krijuar, do të mbahet një takim me përfaqësuesit e komunave të veriut të vendit, ku do të arrihet një marrëveshje dhe vendim për kohën e punës së lokaleve.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Vuçina Jankoviq, duke iu referuar dhunës e cila kishte ndodhur fundjavën e kaluar në territorin e komunave të Zveçanit dhe Mitrovicës së veriut, ka thënë se një gjë e tillë është dështim i shoqërisë.

Sipas tij, puna e lokaleve në këto komuna me rekomandimin e policisë, është kufizuar deri në mesnatë.

Në anën tjetër, Bojiq ka theksuar se policia do t’i forcojë masat e kontrollit të personave dhe automjeteve dhe se këto masa do të jenë rigoroze edhe në lokale. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim lidhur me operacionet që po i ndërmerr policia.

Por, çfarë thonë të rinjtë në veri të Kosovës.

“Nuk ndjehemi fare të sigurt. Po bartin thika, revole. Policia nuk ka fuqi që t’i zgjidhë këto probleme”, ka thënë një i ri serb nga Mitrovica e veriut.

Ngjashëm thotë edhe një e re tjetër nga ky qytet.

“Fatkeqësisht, gjithçka lejohet sot, madje edhe të barten armë. Policia nuk është e mjaftueshme që t’i mbrojë qytetarët. Edhe prindërit nuk kujdesen fare dhe i lejojnë fëmijët për gjithçka”, tha serbja nga Mitrovica e veriut.

Të rinjtë thonë se përveç armëve, tashmë është bërë e përditshme të shihet abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë, si dhe sjellje tjera të devijuara.

Por, çfarë thonë prindërit e të rinjve në Mitrovicë të veriut?

Njëri prej tyre i fajëson vetë prindërit, sepse siç thotë ai, ata duhet ta dinë se ku i kanë fëmijët, çfarë bëjnë ata dhe jo ta fajësojnë ligjin.

“Ligji ekziston, por ai duhet të zbatohet. Kjo që po u ndodhë të rinjve dhe krejt ajo që ka ngjarë së fundmi, është turp dhe kori”, tha një qytetar i Mitrovicës.

Një tjetër thotë se shoqëria duhet të gjejë mënyrën që t’i qetësojnë të rinjtë.

“Duhet të shkurtohet koha e punës në lokale dhe të rinjtë të qetësohen, t’i kthehen sportit apo aktiviteteve tjera kulturore. Rrethi, situata e luftës dhe e gjithë kjo ka sjellë deri në këtë situatë”, tha qytetari serb nga Mitrovica e veriut.

Sanja Sovrliq, sociologe, konsideron se mungesa e dënimeve ka kontribuar që veprat penale, të cilat kanë ndodhur gjatë fundjavës, të bëhen me lehtësi.

Megjithatë, ajo shpreh mendimin se problemi nuk qëndron tek angazhimi ose jo i policisë, por tek sistemi.

“Këtu nuk ekziston funksionimi i gjyqësisë, e as i qeverisjes lokale. Në fakt, shumë çka nuk funksionon. Mendoj se problemi është sistemor dhe nuk mund të fajësohet vetëm një institucion”, ka thënë Sovrliq.

Ajo ka shtuar se për zgjidhjen e problemit duhet të angazhohen të gjithë faktorët relevant, por mbi të gjitha, nevojitet vullneti politik, për shkak se, sipas saj, politika ka kontribuar që gjendja të jetë e këtillë.

Ndryshe, në incidentin gjatë fundjavës së kaluar, në një kafiteri në Zveçan janë plagosur dy të rinj, vëllezër, njëri prej të cilëve është në rrezik jete.

Dy të dyshuarit për tentim vrasje, me moshë 19 vjeç, janë arrestuar nga policia, e cila me këtë rast ka konfiskuar 2 revole. Një ditë më pas, rreth mesnatës, një bombë dore është hedhur mbi policinë në pjesën veriore të Mitrovicës, gjatë kohës kur policia po bënte kontrollin e automjeteve. Autorët janë arratisur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG