Ndërlidhjet

Kuvendi nuk zhvillon seancën për mandatin e EULEX-it


Ilustrim
Ilustrim

Kuvendi i Kosovës nuk ka mbajtur seancën e paralajmëruar, të jashtëzakonshme për vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX. Përkundër që mledhja e Kryesisë së Kuvendit dhe shefave të grupeve parlamentare ishte thirrur që të caktohej më pas edhe seanca, kjo nuk ka ndodhur. Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kanë zhvilluar disa takime me përfaqësuesit ndërkombëtar, përfshi edhe Përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vite tjera e ka miratuar tashmë qeveria e Kosovës, si dhe presidenti Hashim Thaçi i cili i ka dërguar letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mohgerini.

Tani mbetet të shihet nëse Kuvendi do të mblidhet ndërkohë apo të mërkurën, që të marrë vendim në lidhje me mandatin e ardhshëm të EULEX-it në Kosovë.

Ky mision kryesisht pretendon që në Kosovë të trajtoj rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat institucionet vendore, sipas disa raporteve ndërkombëtare, nuk i kanë trajtuar sa dhe siç duhet.

Njëherësh, EULEX-i është mandatuar që të ndihmoj institucionet e drejtësisë në Kosovë përmes këshillimit, monitorimit dhe mentorimit në punën e tyre.

XS
SM
MD
LG