Ndërlidhjet

Mbi 400 mijë lëndë të pazgjidhura në gjykata


Ilustrim

Ilustrim

Mbi 400 mijë lëndë gjyqësore vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura dhe njëkohësisht të patrajtuara, me arsyetimin e numrit të vogël të gjykatësve.

Zyrtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se numri më i madh i lëndëve të pazgjidhur ka të bëjnë me kundërvajtje.

Ata thonë se rastet e natyrës korruptive, janë të kategorizuara si raste me prioritet në gjykata.

Zëvendëskryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Agim Maliqi, e pranon se numri i lëndëve të pazgjidhura në gjykata, është i madh dhe ato barten nga viti në vit.

"Sipas statistikave që janë gjeneruar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës rezulton të jetë një numër prej 417 mijë e 233 lëndë. Ky është një numër total i të gjitha lëndëve pa specifikuar natyrën e lëndëve të cilat janë trajtuar. Pra, ky është totali i të gjitha lëndëve që janë të pa zgjidhura", tha Maliqi.

Maliqi thotë se problemi kryesor në grumbullimin e lëndëve është mungesa e resurseve njerëzore dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është duke u punuar në zvogëlimin e numrit të lëndëve të pa zgjidhura.

"Kemi filluar procedurën për rekrutimin e gjyqtarëve të ri në të gjitha nivelet: edhe për Gjykatën Themelore, gjithashtu edhe gjyqtarët për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme. Kjo do të jetë ndoshta ajo mundësi që më shpejtë të zgjidhen lëndët të cilat tani janë në gjykata", tha Maliqi.

Por, organizatat joqeveritare në Kosovë që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, konsiderojnë se krahas problemeve në vonesat e shqyrtimit të lëndëve në gjykata dhe prokurori, ka probleme edhe me kategorizimin e lëndëve, të cilat duhet të jenë me prioritet për shqyrtim.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë drejtim problemet janë evidente pasi që në gjykatat e Kosovës lëndët transferohen nga viti në vit.

"Pra problem mbesin lëndët të cilat trashëgohen nga viti në vit e të cilat janë të pazgjidhura ndër vite. Këto e ngarkojnë jashtëzakonisht sistemin gjyqësor dhe në këtë ndikon natyrisht edhe mungesa e një sistemi efikas të llogaridhënies që gjyqtarët thjesht t'i mbaj përgjegjës në ato raste kur ata nuk arrijnë që t'i përmbushin normat e tyre", tha Musliu.

Musliu konsideron se me vonesën e zgjidhjes së lëndëve të cilat janë në gjykata, qytetarëve po u shkelen të drejtat elementare. Sipas Musliut, mekanizmat e drejtësisë duhet të marrin shembuj nga shtetet e rajonit për mënyrën se si e kanë kaluar këtë sfidë.

"Duhet një zgjidhje të bëhet nga ana e KGJK-së e cila do të duhej të kishte përkrahjen e Kuvendit të Kosovës për zgjidhje të një plani strategjik për reduktimin e lëndëve ndër vite. Në këtë rast do të duhej të merreshin modelet nga vende të tjera sië është emërimi i task-forcave të ndryshme", tha Musliu.

Sipas shënimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjykatat me më së shumti lëndë të pazgjidhura janë gjykatat themelore në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë e Gjilan.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në përgjithësi është kritikuar si një sistem i parregulluar dhe i pareformuar, dhe është akuzuar se është i korruptuar.

Raportet e ndryshme qoftë ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të progresit, e cilësojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë si pak të besueshëm ndër qytetarë. (RFE)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG