Ndërlidhjet

Putin: Mburoja raketore amerikane është “rrezik i madh”

  • RFE /RL

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vlerësoi se mburoja raketore e Shteteve të Bashkuara në pjesën lindore të Evropës është “rrezik i madh” dhe shpreh përkushtim se Moska do të përgjigjet duke e forcuar kapacitetin e vet sulmues raketor.

Derisa NATO-ja këmbëngul se mburoja është sistem mbrojtës me synim që pjesërisht ta evitojë ndonjë sulm eventual raketor nga Irani, Putini tha se ai mund të shndërrohet lehtë në sistem ofensiv, që mund të përdoret kundër Rusisë.

“Këta gypa, këto silose ku janë vendosur raketat, përdoren për Tomahawk. Këta Tomahawk mund të vendosen atje për vetëm pak orë dhe pastaj ato nuk do të jenë interceptorë raketorë”, u tha Putin udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare mediale të premten mbrëma në Shën Petersburg.

“Ju duhet vetëm ta ndryshoni softuerin dhe puna kryhet. Kjo punë është absolutisht e padukshme. Rumunët nuk e dinë se çka po ndodh aty. Askush nuk do ta dijë, as rumunët e as polakët. E di se si bëhet kjo”.

“Në pikëpamjen time kjo është me të vërtetë e rrezikshme dhe ne e dimë se përafërsisht cilin vit amerikanët do të kenë raketë të re me rreze veprimi jo 500 kilometra, por 1 mijë kilometra dhe nga ky moment ata do të fillojnë ta kërcënojnë potencialin tonë atomik”, u shpreh Putin.

Presidenti rus theksoi se “ne do të duhet të përgjigjemi” ndaj këtij kërcënimi, megjithëqë “e dimë se paraprakisht ne përsëri do të akuzohemi për sjellje agresive” kur Rusia përgjigjet.

“Ne do ta perfeksionojmë kapacitetin tonë sulmues raketor për të siguruar se në Evropë po mbahet balanca strategjike”, tha Vladimir Putin.

Para udhëheqësve të organizatave mediale ndërkombëtare, Putin theksoi se ka shqetësime se konfrontimi ushtarak në rritje ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, “po e tërheq botën në një dimension të ri”.

Putin u shpreh se nuk e di se si t’ua shpjegojë këtë liderëve të vendeve të tjera.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG