Ndërlidhjet

logo-print

Presidenti i Kinës thotë se dëshiron thellim të raporteve me Serbinë


Xi Jinping (majtas) dhe Tomisllav Nikolliq

Xi Jinping (majtas) dhe Tomisllav Nikolliq

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, thotë se vendi i tij dëshiron thellim të raporteve me Serbinë dhe e mbështet synimin e Beogradit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas takimit të sotëm me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, në Beograd, zoti Xi tha se zhvillimi i raporteve të dyanshme ndërmjet Kinës dhe Serbisë, është i bazuar në “projekte të mëdha” dhe se Serbia ka vend të rëndësishëm në planin afatgjatë të Kinës për thellimin e raporteve tregtare dhe hapjen e tregjeve të reja.

Xi Jinping dhe Tomisllav Nikolliq e kanë nënshkruar sot deklaratën e partneritetit strategjik, së bashku me 21 marrëveshje dhe memorandume për ekonomi, energji, financa, infrastrukturë, mbrojtje, kulturë dhe media.

Presidenti kinez dje arriti në Beograd për vizitë triditëshe në Serbi, që është vizita e parë e një presidenti të Kinës në këtë vend, prej vitit 1986.

Serbia ka pasur raporte të mira me Kinën prej viteve të 90-ta, kur Beogradi ishte ekonomikisht i izoluar nga perëndimi, për shkak të rolit që ka pasur në luftërat gjatë shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

Prej vitit 2009, Kina ka investuar më tepër se 1 miliard dollarë në Serbi.

Pas Serbisë, presidenti i Kinës e viziton Poloninë dhe turneun e tij e mbyll me qëndrim në Kazakistan.

XS
SM
MD
LG