Ndërlidhjet

Ministri rus i mbrojtjes për vizitë në Siri


Sergei Shoigu

Sergei Shoigu

Ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, gjatë vizitës në Siri është takuar me presidentin e këtij vendi, Bashar al-Assad.

Televizioni shtetëror i Sirisë ka raportuar se gjatë kësaj vizite, e cila nuk ishte paralajmëruar, do të diskutohej për bashkëpunimin ushtarak dhe përpjekjet për luftimin e “terrorizmit”.

Ministri Shoigu dje ka arritur për vizitë në kryeqytetin Damask.

Nga ana tjetër, Pentagoni ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me sulmin me bomba të Moskës kundër forcave kryengritëse në pjesën jugore të Sirisë, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, tha mbrëmë se zyrtarët ushtarakë amerikanë kishin mbajtur një video konferencë me zyrtarët rusë, me ç’rast kishin shprehur shqetësim për sulmin kundër forcave në kazermën, Al-Tanaf, që mbështeten nga koalicioni.

Zyrtarët e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara thanë se forcat ruse e kishin marrë në shënjestër Al-Tanafin, derisa mbahej një takim i luftëtarëve më 16 qershor, që kishte për qëllim koordinimin e luftës kundër forcave të grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Siri dhe Irak.

Ministria e mbrojtjes e Rusisë më 16 qershor pat thënë se nuk kishte ndërmarrë asnjë sulm, cak i të cilit ishin forcat opozitare të përfshira në armëpushim, duke mos e përmendur Al-Tanafin. Ky pohim është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG