Ndërlidhjet

logo-print

Dështojnë bisedimet, paralajmërohen protesta


Foto nga protestat e kaluara

Foto nga protestat e kaluara

Për të hënën janë paralajmëruar protesta, nga ana e organizatorëve të “Revolucionit shumëngjyrësh”, pasi të dielën në mesnatë skadon ultimatumi i sektorit civil që Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë,të prononcohet rreth kushtetutshmërisë së Prokurorisë Speciale Publike.

Organizatorët e lëvizjes “Protestoj” dhe “Revolucionit shumëngjyrësh”, që përfaqëson mbi 80 organizata joqeveritare, kërkojnë formimin e një qeverie teknike në nivel ekspertësh, e cila do të ketë për detyrë që ta përgatisë vendin për zgjedhje të besueshme, përfshirjen e sektorit civil në bisedimet që zhvillojnë partitë politike për dalje nga kriza, si dhe dorëheqjen e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Zëdhënësi i partisë më të madhe maqedonase në opozitë, Lidhjes Social Demokrate, Petre Shilegov, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se partia e tij i mbështet protestat e qytetarëve, sepse ato paraqesin një bosht të rëndësishëm për ngritjen e institucioneve të shëndosha në përputhje me standardet që vlejnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Në këtë moment, vetëm nëpërmjet protestave mund të krijohet një klimë e shëndoshë për realizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, andaj i ftojmë qytetarët që sa më masivisht të dalin në protesta për t’u thënë jo politikave të pushtetit, të cilat i kanë robëruar institucionet e shtetit duke i vënë në funksion të interesave të partive në pushtet”, ka thënë Shilegov.

Protestat e qytetarëvetë “Revolucionit shumëngjyrësh” janë mbështetur edhe nga Lëvizja “Besa”, e cila ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin e saj tashmë të deklaruar disa herë, se i mbështet të gjitha aksionet qytetare që kanë për qëllimin, siç janë shprehur, rrëzimin e këtij regjimi anti-demokratik, anti-qytetar, por edhe anti-shqiptar.

“Rrjedhimisht, te ne nuk ka ndryshuar asgjë në këtë pikëpamje. Ajo që ka ndryshuar është opinioni publik në Maqedoni: pas protestës së 9 majit tashmë te shqiptarët partia më e madhe opozitare është pikërisht Lëvizja ‘Besa’, ndërsa këtë e pohoi edhe një institucion relevant amerikan siç është IRI".

"Andaj është e pakuptimtë dhe e padrejtë që ne të mos jemi pjesë e bisedimeve për dalje nga kriza dhe shqiptarët të mos jenë të përfaqësuar në ato bisedime, sepse, siç e kemi thënë disa herë, dy partitë shqiptare të asaj tryeze, janë vetëm përkthimi maqedonisht i qëndrimit të VMRO DPMNE-së”, ka deklaruar Zeqiria Ibrahimi, zyrtar i lartë i Lëvizjes “Besa.

Pastrimi i listës së votuesve dhe reforma në media janë dy pikat për të cilat partitë politike nënshkruese të Marrëveshjes politike të Përzhinos nuk arrijnë të përafrojnë qëndrimet e tyre në përpjeke për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë politikë, në të cilën ndodhet.

“Bisedimet janë ndërprerë, sepse VMRO-DPMNE nuk shpreh vullnet të mirë për të zgjidhur dy çështjet kyçe për sigurimin e kushteve minimale që të organizohen zgjedhje të besueshme siç është pastrimi i listës së votuesve dhe reformat në media, përkatësisht duke zvarritur zgjidhjen e tyre që nga nëntori i vitit të kaluar”.

“Bëhet fjalë për 330 mijë votues kontestues të cilët figurojnë në listën zgjedhore. Tashmë është e qartë për të gjithë,se VMRO-DPMNE i ka fituar zgjedhjet përmes fushatave të rrejshme të realizuara me mjetenga arka e shtetit në media të caktuara dhe një liste zgjedhore, e cila nuk përket me realitetin”, është shprehur Shilegov.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE përmes një deklarate me shkrim ka theksuar se është pikërisht Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ajo që bën politikë destruktive në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

Lidhja Social Demokrate është ajo që iu shmang bisedimeve në Vjenë dhe tashmë dy herë i shmangi zgjedhjet dhe ballafaqimin me popullin. VMRO ka qenë dhe mbetet konstruktive në këtë situatë, pasi si parti ofruam dhe kemi për të ofruar edhe më shumë projekte në të mirë të qytetarëve”, theksohet në komunikatën për media të VMRO DPMNE-së të udhëhqur nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Ndërkaq, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim zhbllokimin e procesit të bisedimeve e sheh në shtytjen që mund t’i bëjë këtij procesi bashkësia ndërkombëtare.

“Në kuadër të bisedimeve në nivelet e dyta, shpresojmë që me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar të arrihet të dilet nga kjo krizë, e cila zgjatë tanimë më shumë se një vit e gjysmë në vend”, ka theksuar Teuta Arifi, nënkryetare e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim.

XS
SM
MD
LG