Ndërlidhjet

Steinmeier: Ushtrimet e NATO-s, “luftënxitëse”


Frank-Walter Steinmeier
Frank-Walter Steinmeier

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka kritikuar ushtrimet ushtarake të NATO-s në pjesën lindore të Evropës, duke i cilësuar si “luftënxitëse”.

Ajo që ne duhet ta evitojmë sot, është provokimi i situatës me luftë-nxitje dhe me ecje të fuqishme”, i tha Steinmeier gazetës gjermane, “Bild am Sonntag”, në një intervistë të publikuar të dielën.

Sipas tij, është e gabueshme të mendohet se “ju mund ta shtoni sigurinë në aleancë me parada simbolike të tankeve afër kufijve lindorë”.

Më 13 qershor NATO-ja ka shpallur se do të vendosë batalione të reja në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, për zbutjen e shqetësimeve të këtyre vendeve për agresionin rus, pasi Moska e ka aneksuar ilegalisht Krimenë e Ukrainës në vitin 2014 dhe i ka mbështetur separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha para disa ditësh, se Rusia po synon krijimin e “zonës së influencës me mjete ushtarake” dhe theksoi se Rusia po kryen “militarizim masiv” përgjatë kufijve të vet me vendet e aleancës ushtarake.

Afro 31 mijë trupa të 24 vendeve anëtare të NATO-s dhe të shteteve partnere para disa ditësh i kanë filluar operacionet defensive në Poloni dhe Lituani. Në mesin e këtyre trupave ishin edhe ushtarët e Gjermanisë.

Rusia e ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s me ish-vendet sovjetike dhe ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj çfarëdo hapi të NATO-s për t’i shtuar kapacitetet ushtarake afër kufijve rusë.

Zyrtarët e NATO-s do të takohen muajin e ardhshëm në samitin në Varshavë të Polonisë, që formalisht t’i miratojnë planet për vendosje të reja përgjatë krahut lindor të aleancës.

Aleksei Pushkov, kryesues i Komitetit të jashtëm të Dumës Ruse, i ka përshëndetur komentet e ministrit Steienmeier, duke i cilësuar si “zë i arsyes” në periudhën, të cilën ai e ka përshkruar si histeri anti-ruse nga ana e NATO-s dhe e sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

“Steinmeier ka folur kundër kursit të Stoltenbergut për frikësimin e Rusisë”, tha Pushkov dhe ka shtuar se “disa zëra të arsyes mund të dëgjohen prapa perdes së kërcënimeve dhe histerisë”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke folur në forumin ekonomik në Shën Petersburg, më 17 qershor, tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet e kanë përdorur krizën e Ukrainës për ta “arsyetuar ekzistencën e bllokut veri-atlantik”.

Atyre u duhet në armiqësi e jashtme, një armik i jashtëm, përndryshe cili është qëllimi i kësaj organizate?!”, ka shtruar pyetjen Putin dhe ka shtuar se “nuk ekziston pakti i Varshavës, nuk ekziston Bashkimi Sovjetik, pra ndaj kujt ajo tash është e drejtuar?”

Në një intervistë të ndarë, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se Bashkimi Evropian do të duhej gradualisht t’i ndalë sanksionet e imponuara kundër Rusisë, për shkak të krizës në Ukrainë, nëse atje ka progres substancial në procesin paqësor.

“Sanksionet vetvetiu nuk paraqesin fund. Ato duhet të japin stimulim për ndryshim të sjelljes”, i tha Steinmeier rrjetit të gazetave lokale, “RedaktionsNetywerk Deutchland”.

Ai theksoi se ishte në favor të tërheqjes së sanksioneve në mënyrë graduale, nëse Qeveria e Rusisë tregon se po e kryente pjesën e vet në implementimin e marrëveshjeve të Minskut, të vitit 2015, ku parashihen hapat për arritjen e paqes në pjesën lindore të Ukrainës.

Marrëveshja e Minskut bën thirrje për armëpushim në luftimet ndërmjet separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare të Ukrainës, së bashku me shumë veprime politike, ekonomike dhe sociale, për përfundimin e konfliktit, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në pjesën lindore të Ukrainës.

“Qasja krejt ose asgjë, edhe nëse tingëllon mirë, nuk funksionon”, deklaroi Steinmeier.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG