Ndërlidhjet

logo-print

OKB: Krizë humanitare, derisa mijëra vetë largohen nga Falluxha


Banorë të zhvendosur nga Falluxha, 10 qershor 2016

Banorë të zhvendosur nga Falluxha, 10 qershor 2016

Kombet e Bashkuara thonë se Iraku po ballafaqohet me katastrofë humanitare, derisa aktivistët përballen me fluksin masiv të civilëve, që po largohen nga Falluxha, prej se forcat qeveritare e kanë rimarrë pjesën më të madhe të këtij qyteti, javën e kaluar, prej grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Bruno Geddo, i dërguar i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR) në Irak, thotë se grupet ndërkombëtare humanitare “po kanë vështirësi të mëdha t’i përgjigjen situatës, e cila po evoluon shpejt”.

Gjatë tri ditëve të kaluara, Kombet e Bashkuara thonë se afro 10 mijë familje janë larguar nga Falluxha, për të ikur nga lufta e ashpër.

Sipas OKB-së, më se 84 mijë civilë janë larguar nga Falluxha dhe hapësirat përreth, prej muajit maj, kur kanë filluar operacionet, që synojnë rimarrjen e kontrollit të qytetit nga militantët e IS-it.

Bruno Geddo ka thënë se një valë tjetër e refugjatëve pritet gjatë ditëve të ardhshme, pasi mijëra civilë mbeten të bllokuar nga beteja që po zhvillohet në pjesë të Falluxhës.

Një komandant irakian ka raportuar për përleshje të ashpra në Falluxha, derisa forcat elite kundërterroriste po avancojnë për pastrimin e militantëve të mbetur.

Gjenerali irakian, Haider al-Obeidi, tha gjatë fundjavës se luftëtarët e Shtetit Islamik kanë lansuar raketa, kanë kryer sulm vetëvrasës me makinë-bombë dhe kanë vendosur snajperistë kundër forcave irakiane.

Ai theksoi se forcat e qeverisë së Irakut “janë ende në avantazh, përkundër përleshjeve të fuqishme”.

Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, ka shpallur fitore për trupat e qeverisë së Irakut më 17 qershor, pasi forcat speciale e rimorën pjesën më të madhe të qytetit, gjatë luftës e cila po zhvillohet tash e disa javë.

Këshilli Norvegjez për Refugjatë, që është organizatë humanitare e angazhuar shumë në provincën Anbar, ka njoftuar se largimi masiv i civilëve ka ndikuar në tejmbushjen e kampeve të organizuara nga qeveria e Irakut dhe grupet humanitare. Rrjedhimisht, mijëra vetë kanë mbetur pa kulm mbi kokë ose pa kushte përkatëse higjieniko-sanitare.

Karl Schembri, zëdhënës i Këshillit Norvegjez për Refugjatë, tha se mijëra vetë “pa asnjë tendë, pa asnjë strehim, kanë fjetur nën qiell të hapur”.

Schembri tha se situata humanitare në provincën Anbar është potencialisht “katastrofale”.

Prej se militantët e Shtetit Islamik kanë okupuar territore të mëdha në pjesën veriore dhe perëndimore të Iraku, gjatë verës së vitit 2014, më tepër se 3 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG