Ndërlidhjet

logo-print

Hammond: Nëse Britania largohet nga BE-ja, s’ka kthim prapa

  • RFE /RL

Sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond

Sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond

Derisa po afrohet data 23 qershor, kur mbahet referendumi në Britani të Madhe për mbetje apo largim nga Bashkimi Evropian, po dëgjohen zëra të ndryshëm.

Një angazhim të fuqishëm për të mbetur në Bashkimin Evropian e ka bërë sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, duke thënë se vendimi për largim do të jetë i “pakthyeshëm”.

“Do të jetë një rezultat i ngushtë. Mesazhi që ne po përpiqemi ta dërgojmë te populli britanik është se ky është vendim i pakthyeshëm: nëse Britania vendos të largohet, atëherë nuk ka kthim prapa. Britania kurrë më, në ndonjë datë të mëvonshme, nuk do të mund të ribashkohet në BE. Pra, ky është një vendim shumë i rëndësishëm. Ne jemi të qartë se është në interesin më të mirë të Britanisë që të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian”, u tha të hënën Philip Hammond gazetarëve në Luksemburg, para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.

Ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, tha se nuk dëshiron të përzihet në këtë çështje.

“Është çështje e dëshirës së tyre të lirë dhe nuk dëshiroj të ndërhyj. Njëherësh, të gjithë evropianët po shikojnë kah populli britanik, pasi – siç na përkujton historia jonë - ne kemi jetë të gjatë të përbashkët - me tragjedi, por po ashtu, me shumë shpresë. Tash, zgjedhja e popullit britanik do të jetë shumë e rëndësishme për ta, por edhe për Evropën. Prandaj, derisa populli britanik i afrohet momentit të vendimit, u bëj thirrje atyre që ta kenë parasysh këtë sfidë të madhe historike”, tha Jean-Marc Ayrault.

Hulumtimet më të reja të opinionit tregojnë se votuesit po lëvizin kah kampi për mbetje të Britanisë në BE, pasi në dy javët e kaluara, ka pasur paraqitje të fuqishme të mbështetësve të largimit nga BE-ja. Kjo mbështetje i ka tronditur tregjet dhe ka përhapur një valë të tërheqjes së fuqishme të vërejtjes për pasojat, nëse Mbretëria e Bashkuar do të bëhej vendi i parë që largohet nga Bashkimi Evropian.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Kathelin Moore, ka qëndruar në Irlandën Veriore, që është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe ka biseduar me disa banorë në qytetin Londoderi.

“Irlanda Veriore ka kaluar nëpër periudhë të konsiderueshme të problemeve, kur tregtia dhe ekonomia nuk kanë lulëzuar. Prej marrëveshjes për paqe në vitin 1998, ne kemi parë përmirësime, megjithëqë kemi rrugë të gjatë përpara. Mendoj se për çështjen e daljes së Britanisë nga BE-ja dhe dëmin që ajo mund ta sjellë për ekonominë tonë të ndjeshme, është diçka për të cilën nuk ia vlen të mendohet”, tha Gavin Killeen, pronar i një biznesi.

Personi tjetër i anketuar, Philip Gilliland, pronar i një kompanie juridike, çështjen e largimit të Britanisë nga BE-ja e shikon më tepër në prizmin e biznesit.

“Do të lëvizë kah një paqartësi dhe paqartësia është gjë e keqe për çfarëdo ambienti biznesor. Por, në një kuptim më të gjerë, ne tashmë jemi të vetëdijshëm për vendimet investuese të jashtme, që janë ndalur për në Irlandën Veriore nga kontinenti evropian, pasi ata presin të shohin se çka po ndodhë me referendumin”, tha Gilliland.

Kyle Thompson, është një aktivist lokal për dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian, i cili thekson se prej vitit 1923 ka pasur lëvizje të lirë ndërmjet Irlandës Veriore dhe Irlandës. Por, gjatë trazirave, prej fundit të viteve të 60-ta e deri në vitin 1998, sipas tij, ka pasur kontrolle të kufirit, por ato kishin qëllim ndaljen e aktivitetit terrorist.

“Tash ekziston nivel i reduktuar i aktivitetit terrorist, prandaj nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh të situatës kufitare në krahasim me atë që është tash”, thotë Thompson.

Fushata për mbetje ose jo në Bashkimin Evropian ishte pezulluar për disa ditë, pasi të enjten e kaluar ishte vrarë ligjvënësja britanike, Jo Cox, e cila ishte mbështetëse e mbetjes së Mbretërisë së Bashkuar në BE. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG