Ndërlidhjet

Thaçi në Bruksel: Kosova pret vendim meritor për vizat

  • RFE /RL

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, takon Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, takon Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se Kosova pret vendimin “meritor” të Bashkimit Evropian për punën e institucioneve të saj në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave.

Presidenti Thaci takoi të martën në Bruksel, Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schultz, të cilin e falënderoi për mbështetjen që Parlamenti Evropian, edhe përmes raportueses për viza Tanja Fajon, i ka “dhënë Kosovës si dhe për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Në një kumtesë të Zyrës së Presidentit thuhet se “Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ka deklaruar se liberalizimi i vizave është tema kryesore që preokupon Kosovën në marrëdhëniet e saj me BE-në”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar të martën një vizitë në Bruksel me takimin me Presidentin e Parlamentit, Martin Shultz dhe gjatë ditës edhe me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Federica Mogherini.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës thonë se Presidenti Thaçi me bashkëbiseduesit e tij në Bruksel “do të hap çështjet e perspektivës evropiane të Kosovës, liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, dialogun me Serbinë, shtrirjen e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe bashkëpunimin me misionin e BE-së EULEX”. (REL)

XS
SM
MD
LG