Ndërlidhjet

logo-print

Disponimi i britanikëve në fije të perit

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Sondazhet e opinionit, kësaj jave, kanë treguar disponim në rritje të britanikëve për të qëndruar në Bashkimin Evropian, por diferenca me ata që duan të dalin nga blloku mbetet në fije të perit.

Referendumi mbahet të enjten dhe politikanët në gjithë botën, ekonomistët dhe mekanizmat tregtarë paralajmërojnë se dalja nga blloku 28-anëtarësh do ta fusë Britaninë dhe pjesën më të madhe të Evropës në recesion.

Blloku, tashmë i lëkundur nga dallimet për migracionin dhe të ardhmen e Eurozonës, do të humbiste ekonominë e dytë më të madhe, njërën prej dy top-fuqive ushtarake dhe qendrën më të pasur financiare.

Të martën, kryeministri britanik, David Cameron, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mendojnë për ndikimin që mund të ketë dalja nga BE-ja për brezat e ardhshëm.

“Qytetarë britanikë, mos u largoni! Ne jemi të përfshirë, ne kemi avantazh. Në bëjmë ndryshime. Ne kemi marrë vendime. Nëse largohemi, fqinjët tanë do të mblidhen dhe do të marrin vendime që ndikojnë te ne, te vendi ynë, te vendet tona të punës, kurse ne nuk do të jemi atje”, ka thënë Cameron.

Ish-kryetari i Londrës, Boris Johnson, i cili për muaj të tërë ka udhëhequr fushatën për dalje nga BE-ja, ka thënë se “e enjtja mund të jetë dita e pavarësisë së Britanisë”.

“Pozicioni ideal për ne është të rikthejmë kontrollin e shumave të mëdha të parave, për t’i shpenzuar ato për prioritetet tona. Të rikthejmë kontrollin e sistemit tonë të migracionit, të rikthejmë kontrollin e demokracisë sonë”, ka thënë Johnson.

Disa sondazhe të opinionit, të publikuara pas vrasjes së deputetes britanike pro-evropiane, Jo Cox, të enjten e kaluar, kanë treguar se ndjenjat e britanikëve po lëvizin kah mbetja në BE. Cox është sulmuar dhe therur për vdekje në zonën e saj në Anglinë veriore.

Sondazhet që ka publikuar gazeta The Daily Telegraph kanë treguar se 53 për qind e të anketuarve duan mbetjen në BE, krahasuar me 46 për qind që duan të dalin.

Sondazhi i gazetës The Times, në anën tjetër, ka treguar 44 për qind të të anketuarve në favor të daljes nga BE-ja dhe 42 për qind në favor të mbetjes.

Kryetarja e Rezervave Federale të Shteteve të Bashkuara, Janet Yellen, ka thënë se dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do të turbullonte tregjet dhe do të kishte ndikim në rritjen ekonomike.

“Një zhvillim që mund të ndryshojë ndjenjat e investitorëve është referendumi i ardhshëm në Mbretërinë e Bashkuar. Vota për të dalë nga Bashkimi Evropian do të kishte pasoja të mëdha ekonomike”, ka paralajmëruar Yellen.

Kampi për mbetje në BE gëzon mbështetje jo vetëm nga figura të larta të biznesit dhe liderë botërorë, si presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, por edhe nga yje të ekranit dhe sportit.

Të martën, ish-kapiteni anglez i futbollit, David Beckham, ka shtuar zërin e tij në listë. “Për fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre, ne duhet të përballemi me problemet e botës bashkë dhe jo vetëm”, ka thënë Beckham.

Në prag të referendumit, edhe gazetat britanike kanë dalë publikisht me qëndrimet e tyre, me shpresën se do të ndikojnë elektoratin e ndarë gati në mënyrë të barabartë.

Pro-mbetjes në BE janë deklaruar: The Times, The Mail on Sunday, Daily Mirror, The Financial Times, The Observer, The Guardian, ndërsa për dalje nga blloku janë: The Sun, The Sunday Times, The Sunday Telegraph, The Telegraph.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG