Ndërlidhjet

Afganistan: Talibantë thonë se i kanë liruar 21 persona të rrëmbyer


Forcat e sigurisë afgane duke i kontrolluar makinat dge udhëtarët në provincën Helmand
Forcat e sigurisë afgane duke i kontrolluar makinat dge udhëtarët në provincën Helmand

Zyrtarët afganë thanë sot se talibanët i kanë liruar 23 vetë, që ishin rrëmbyer dje në pjesën jugore të këtij vendi.

Një zëdhënës në provincën Helmand tha se përfaqësuesit e guvernatorit kanë punuar me të moshuarit fisnorë për të intervenuar dhe për “të zhvilluar negociata me talibanët, që rezultoi me lirimin e shumicës së tyre”.

Mëtutje, zëdhënësi Omar Zwak tha se 25 vetë fillimisht ishin rrëmbyer dhe se autoritetet shpresojnë se dy personat e mbetur të rrëmbyer do të lirohen së shpejti.

Zyrtarë të ushtrisë së Afganistanit thanë se të rrëmbyerit ishin liruar pas operacionit ushtarak mbrëmë vonë kundër bazës së fuqishme talibane, Marja, në provincën Helmand.

Por, zëdhënësi i talibanëve, Qari Yusuf Ahmadi, sot e ka hedhur poshtë këtë pretendim dhe ka paraqitur numra të ndryshëm, duke thënë se janë liruar gjithsej 21 të rrëmbyer, pasi militantët vendosën se ata nuk kanë punuar për qeverinë e Afganistanit, që mbështetet nga perëndimi.

Ky zëdhënës tha se gjithsej 27 vetë ishin rrëmbyer nga tri makina në autostradën në qarkun Vasher të Helmandit.

Zëdhënësi Ahmadi tha se gjashtë personat e rrëmbyer që nuk janë liruar, do të ballafaqohen me atë që talibanët e quajnë “drejtësi islamike”.

XS
SM
MD
LG