Ndërlidhjet

Problemet e vërteta të Kroacisë dhe Serbisë mbeten nën qilim


Takimi Vuçiq- Kitaroviq
Takimi Vuçiq- Kitaroviq

Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kroacisë janë në nivelin më të ulët në disa vite. Beogradi është zemëruar me Kroacinë, e cila ka bllokuar rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kroacia do të donte që Serbia të ndryshonte ligjet e saj dhe të hiqte dorë nga ajo që e sheh si tendencë të Beogradit për të vepruar si “polic rajonal”.

Ka edhe çështje të tjera po ashtu. Serbia ka ngritur notë proteste me BE-në në lidhje me një ekspozitë në Parlamentin Evropian, për të shënuar jetën e kardinalit kroat, Alojz Stepinac, një figurë jashtëzakonisht kontroverse.

Stepinac është dënuar si bashkëpunëtor nazist pas Luftës së Dytë Botërore, por ai ka qenë edhe në proces të lumturimit nga Papa Gjon Pali II para se të vdiste. Ka disa tregues se ai mund të ketë kundërshtuar politikat raciste dhe vrasëse të regjimit kukull të Kroacisë gjatë kohës së luftës.

Lumturimi i tij aktualisht është në pritje.

Por, e gjithë kjo është futur nxitimthi nën qilim më 20 qershor, kur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq. Të dy kanë dhënë përshtypjen se po kryejnë një detyrë të pakëndshme, por të pashmangshme, duke bërë më të mirën e tyre për të krijuar një imazh të harmonisë dhe miqësisë.

Duke bërë përpërjekje për të vepruar si njerëz të rritur dhe përgjegjshëm, ata kanë përsëritur fjalët e rëndomta për rëndësinë e stabilitetit dhe paqes në rajon.

Megjithatë, për të dyja palët takimi ishte një pushim i mirëpritur nga problemet në rritje në vendet e tyre.

Vuçiq ka qenë padyshim i lumtur që është larg Beogradit, ku do të përballej me pyetjet e vazhdueshme të gazetarëve për vonesat në formimin e qeverisë. Ai po ashtu ka mundur të injorojë përkohësisht presionin nga Moska për të përfshirë ministra pro-rusë në qeveri. Ka qenë shumë më e lehtë për të qw të kalojë kohë me Kolindën, duke shkëmbyer pikëpamje për të drejtat e pakicave, njerëzit e zhdukur dhe kufirin midis dy vendeve, sesa t’i raportojë Putinit ose të ndërhyjë në media.

Në Zagreb, ndërkohë, po del në sipërfaqe zgjidhja për krizën e pashembullt politike. Shumica e deputetëve në Parlament kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë më 15 qershor, duke çuar në shpërbërjen e Parlamentit kroat dhe duke u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.

Përveç kryeministrit Tihomir Oreshkoviq, viktima më e madhe e krizës ka qenë Tomisllav Karamarko, lideri i rrëzuar i partisë së Kolindës, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), që tani kërkon zëvendësimin.

E gjithë kjo e vë Grabar-Kitaroviqin në siklet, pasi forma e çdo qeverie të re ka shumë gjasa të mos jetë sipas dëshirës së saj.

Sikur kriza e thellë politike të mos ishte e mjaftueshme, presidentja ka marrë turr për t’u përfshirë edhe në sjelljen e gabuar të tifozëve kroatë në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2016, i cili është në vazhdim e sipër.

Një grup i tifozëve kroatë ka hedhur fishekzjarre gjatë ndeshjes me Republikën Çeke më 17 qershor dhe ka luftuar me mbështetësit e saj.

Telashexhinjtë janë etiketuar si “terroristë të sportit”, ndërsa Grabar Kitaroviq ka hedhur vaj në zjarr, duke iu referuar atyre si “armiq të shtetit dhe persona që urrejnë vendin e tyre”.

Pas takimit me përfaqësues të pakicës serbe në Kroaci, Vuçiq dhe Grabar Kitaroviq kanë bërë një udhëtim të shkurtër me helikopter deri në qytetin serb Donji Tavankut. Ai është një rajon pranë Suboticës, në veri të Serbisë, me shumicë të popullsisë kroate. Të mirëpritur me duartrokitje nga banorët lokalë, ata kanë vizituar një galeri të arteve dhe kanë ndjekur shfaqjet e organizuara nga shoqatat kulturore lokale.

Pavarësisht atmosferës së ngrohtë, problemet përçarëse midis dy vendeve mbeten. Duke folur për televizionin kroat para takimit, Vuçiq ka thënë se është gati të hapë çdo çështje.

“Jam i vetëdijshëm se nëse kërkojnë tema të caktuara emocionale, nuk do të gjejmë gjuhë të përbashkët. Nëse flasim për ‘Ollujën’ e Kroacisë (v.j. operacioni ushtarak që ka çuar në çlirimin e Kroacisë më 1995), 99 për qind e kroatëve do ta shihnin atë si ngjarje heroike, të denjë për ta festuar. Në të njëjtën kohë, 99 për qind e serbëve do ta konsideronin si ditën më të errët të jetës së tyre, sepse serbët janë dëbuar nga shtëpitë e tyre”, ka thënë Vuçiq.

As Vuçiq e as Grabar Kitaroviq nuk janë gati të merren me çështjen e operacionit “Olluja”. Serbia nuk është ende e gatshme të marrë përgjegjësinë për nisjen e luftës, ndërsa Kroacia nuk është e përgatitur për të nisur bisedime serioze për krimet e kryera gjatë çlirimit të saj. Zgjidhja e tyre është që të pajtohen të mos pajtohen.

Të vërtetat kontradiktore për periudhën më të dhimbshme në historinë e përbashkët të tyre kanë synim bashkëjetesën, pa ndikuar marrëdhëniet e ndërsjella. Por, duke shtypur emocionet kolektive dhe duke refuzuar ballafaqimin me fakte, nuk është bazë për përparimin kuptimplotë dhe për bashkëpunimin rajonal. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG