Ndërlidhjet

SHBA: Demokratët e paralizuan Dhomën Përfaqësuese


Demokratët gjatë protestës në Dhomën në Përfaqësesve
Demokratët gjatë protestës në Dhomën në Përfaqësesve

Republikanët në Dhomën e Ulët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara po synojnë ta përfundojnë protestën 16 orëshe të demokratëve, duke e shtyrë seancën deri pas pushimit, i cili do të zgjasë deri më 5 korrik.

Duke qëndruar ulur në dyshemenë e Dhomës Përfaqësuese, demokratët shprehën përkushtim se ata nuk do ta lejojnë Kongresin që të pushojë për festën kombëtare të 4 korrikut, derisa shumica republikane, ta lejojë votimin për legjislacionin për kontrollin e armatimit të propozuar pas të shtënave masive të fundit në Shtetet e Bashkuara – masakrën në klubin e natës të homoseksualëve në Orlando të Floridës.

Demokratët “okupojnë” Kongresin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00

Ligjvënësit republikanë duket se i kishin zënë demokratët në befasi në mesnatë nga e mërkurja në të enjten, pasi papritmas kanë ftuar për votim të legjislacionit për financim të luftës kundër virusit Zika, duke mos lejuar debat dhe pastaj menjëherë e kanë shtyrë sesionin e ardhshëm pas 4 korrikut.

Por, demokratët kanë premtuar se do ta vazhdojnë protestën pa kamera, drita ose seancë legjislative.

Liderja demokrate në Dhomën Përfaqësuese, Nancy Pelosi, tha se “për shkak se ata kanë shkuar, nuk do të thotë se ne duhet ta marrin jo-në si përgjigje”.

Më herët derisa protesta po vazhdonte në orët e para të mëngjesit të sotëm, më tepër se 100 ligjvënës u ulën në dysheme dhe i penguan përpjekjet nga kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese, republikani Paul Ryan, për ta ripërtërirë rendin e ditës.

Kjo skenë e paprecedente ishte transmetuar nga demokratët me telefona mobilë dhe pamjet e tyre ishin marrë nga kanali C-SPAN, pasi republikanët, të cilët në masë të madhe e kundërshtojnë kontrollon e armatimit, e kishin detyruar këtë rrjet kabllor të Kongresit, që t’i mbyll kamerat e veta.

Demokratët e postuan numrin kryesor të telefonit të Kongresit në mediat sociale dhe centrali telefonik ishte vërshuar me thirrje të zgjedhësve duke kërkuar votim.

Demokratët, po ashtu, i inkurajuan mbështetësit e shumtë që të postonin mesazhe në rrjetin Twitter nën shenjën #NoBillNoBreak (JoLegjislacionJoPushim).

Mbrëmë vonë, pasi protesta po mbahej për 10 orë, zoti Ryan doli në vendin e kryesuesit dhe me goditjen tradicionale të çekanit dha shenjë për fillimin e seancës në Dhomën Përfaqësuese dhe u përpoq të organizojë votim për çështje rutinore.

Por, demokratët brohoritën “Jo legjislacion, jo pushim!” dhe i valëvitnin letrat me emrat e viktimave të armëve derisa Dhoma përpiqet të zhvillojë çështje legjislative.

Derisa Ryan përpiqej ta shpallte agjendën legjislative, demokratët brohoritnin “Turp!” dhe e kënduan këngën e periudhës së të drejtave civile “Ne duhet të tejkalojmë”.

Këto skena ishin shmangie radikale nga puna e zakonshme e kësaj dhome.

Demokratët dëshironin që republikanët t’i përfillnin kërkesat e tyre për mbajtje të votimit për legjislacionin për parandalimin e shitjes së armëve për terroristët e dyshuar, të cilët nuk lejohen të udhëtojnë me aeroplanë, pasi gjenden në të ashtuquajturën listë “të jo-fluturimit”.

Sulmuesi në Orlando, i cili i ka vrarë 49 vetë me armë automatike, që e kishte blerë disa ditë para se ta kryente masakrën, ishte në këtë listë në vitin 2013 dhe 2014.

“Ne duhet ta pushtojmë dyshemenë e dhomës derisa të ketë aksion”, tha anëtari i kësaj dhome, John Lewis, njëherësh lider veteran i të drejtave civile.

Ai tha se refuzimi i republikanëve për të votuar për kontrollin e armëve i ka detyruar demokratët që të ndërmarrin protestën me teknikë të uljes, që ai dhe të tjerët e kishin përdorë gjatë viteve të 60-ta.

“Jemi bërë të shurdhër ndaj gjakut të të pafajshmëve. Ne jemi të verbër ndaj krizës. Ku është guximi ynë”, ka pyetur Lewis.

Nancy Pelosi, lidere demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve e ka përkujtuar jo vetëm masakrën në Orlando, por edhe një varg vrasjesh të tjera masive gjatë viteve të fundit, përfshirë edhe të shtënat e vitit 2015 në një kishë në Çarlston të Karolinës Jugore, që shfrytëzohej nga zezakët, e që ishte sulmuar nga një racist i bardhë, me ç’rast ishin vrarë 9 vetë.

“Ne jemi këtu për më gjatë”, tha Nancy Pelosi, duke theksuar se legjislatorët synojnë ta vazhdojnë protestën e tyre me ulje derisa të bëhet votimi për legjislacion.

Lideri republikan në Kongres, Paul Ryan, e ka kritikuar protestën duke e cilësuar si “asgjë tjetër pos reklamë publike”.

Në një intervistë për rrjetin CNN, zoti Ryan tha se nuk do të lejojë votim për ndaljen e shitjes së armatimit në Shtetet e Bashkuara.

“Ne nuk do ta anulojmë të drejtën kushtetuese të shtetasve pa një proces”, tha ai.

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinotn, në rrjetin Twitter i kanë mbështetur demokratët.

Jashtë ndërtesës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara në Uashington ishin tubuar qindra njerëz për të treguar solidaritet.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG