Ndërlidhjet

logo-print

Evropa nën ethet e referendumit në Britani

  • RFE /RL

Londër

Londër

Referendumi i së enjtes në Britani, që do të përcaktojë raportet e ardhshme të këtij vendi me Bashkimin Evropian, ka polarizuar kombin, por mund të ndryshojë edhe fytyrën e Evropës.

Tregjet financiare vazhdojnë të lëkundën si pasojë e rezultatit të pasigurt.

Nëse Britania bëhet shteti i parë që del nga BE-ja, një gjë e tillë do të ishte goditja më e madhe për bllokun 28-anëtarësh që nga themelimi i tij. BE-ja do të mbetej pa ekonominë e dytë më të madhe dhe pa njërën prej dy fuqive kryesore ushtarake. Blloku po ashtu mund të përballet me thirrje për referendume të ngjashme nga politikanët anti-evropianë të shteteve të tjera anëtare.

Por, nëse mbetet në BE, Britanisë i është premtuar status i veçantë që do ta përjashtojë atë nga integrimi i mëtejshëm politik, ndërsa udhëheqësit e tjerë evropianë do të duhet të adresojnë rritjen e mprehtë të euro-skepticizmit në gjithë kontinentin.

Vota për dalje nga BE-ja do të ishte ndoshta goditje fatale edhe për karrierën e kryeministrit britanik, David Cameron, i cili ka thirrur referendumin dhe ka bërë fushatë për të mbetur brenda BE-së. Kampi kundër, ndërkaq, është udhëhequr nga rivalë brenda Partisë së tij Konservatore.

Pas katër muajsh fushatë, qendrat e votimit janë hapur të enjten në orën 8:00 sipas kohës lokale, ndërsa rezultatet nga 382 zona të veçanta të numërimit do të bëhen publike mëngjesin e së premtes.

Kampi që është kundër BE-së, thotë se Britania do ta rikthejë sovranitetin e plotë dhe se ekonomia do të përfitojë. Ai e ka fokusuar fushatën në paralajmërimet se Britania nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë nivelet e imigrimit për aq kohë sa është anëtare e BE-së.

Kampi që favorizon BE-në, në anën tjetër, ka thënë se dalja nga blloku do të shkaktonte kaos financiar dhe do të zvogëlonte ndikimin e shtetit në çështjet globale.

Cameron ka votuar të enjten herët dhe ka shkruar në Twitter: “Sot është dita kur mund të votoni për një të ardhme më të fuqishme, me Britaninë duke udhëhequr e jo duke lënë Evropën”.

Rivali i tij kryesor, ish-kryebashkiaku konservator i Londrës, Boris Johnson, ka reaguar po ashtu në Twitter, duke thënë: “Tani është koha për të besuar në këtë vend. Votoni për t’u larguar. Le ta bëjmë ditën e sotme Ditë të Pavarësisë”.

Tregtarët, investitorët dhe firmat janë përgatitur për paqëndrueshmëri në tregjet financiare, çfarëdo që të jetë rezultati i referendumit.

Nëse Britania largohet, udhëheqësit e financave të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, kanë thënë se do të lëshojnë një deklaratë për të garantuar se do të ndërmarrin të gjitha masat për të qetësuar tregjet.

Vlerësimi AAA i Britanisë mund të reduktohet nga kompania e vlerësimeve Standard & Poor’s nëse Britania braktis BE-në, ka thënë drejtori menaxhues i S&P, Moritz Kraemer, për të përditshmen gjermane Bild.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG