Ndërlidhjet

BREXIT mund të ndikojë mbi MSA-në për Kosovën 


Ilustrim
Ilustrim

Kosova mund të përballet me problemet në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, pas votimit në referendum për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, nëse ky proces ngadalësohet, thonë ekspertët e ekonomisë. Sipas tyre, rajoni i Ballkanit Perëndimor do të mund të neglizhohet në një periudhë të ardhshme, kur Evropa do të përqendrohet në bisedimet për daljen e Britanisë.

Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se me votimin britanik për dalje nga BE-ja, Kosova po e humb një shtet aleat brenda këtij unioni, donacionet e të cilit kanë qenë të mëdha në Kosovë.

Por, ministri i Financave, Avdullah Hoti, vlerëson se largimi i Britanisë se Madhe nga BE-ja, nuk mund të ketë ndikim në ekonominë e vendit, njëherësh as në zbatimin e MSA-së, pasi sipas tij, shkëmbimet tregtare të Kosovës me këtë shtet janë shumë të vogla.

"Shkëmbimet tregtare më Britaninë nuk i kemi në nivele të larta që të ndikohemi nga kjo. Vendimi i Britanisë për dalje nga BE-ja është marrë tashmë, dhe të shohim se si do shfaqet marrëdhënie e re e Britanisë me BE-në”, ka thënë Hoti.

Edhe Gazmend Qorraj, ligjërues i lëndës 'Ekonomia e Kosovës dhe Bashkimi Evropian', për Radion Evropa e Lirë thotë se largimi i Britanisë së Madhe nga ky union nuk mund të ketë ndonjë ndikim të shpejtë në zbatimin në Marrëveshjen për Stabilizim Asociim.

“Sa i përket implikimit direkt, konsiderojse nuk do të ketë (ndikim), sepse Kosova i ka detyrat e veta, e ka kornizën përmes së cilës duhet të zbatojë MSA-­në. Ndërsa të gjithë akterët e Bashkimit Evropian do të jenë të orientuar nga ristrukturimi i ri, lidhur me atë se çka do të ndodh tutje dhe cilët hapa do t’i ndërmarrë Britania drejt lëvizjes jashtë Bashkimit Evropian”, ka thënë Qorraj.

Në anën tjetër, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, konsideron se ndikimet politike që Kosova do të pësojë nga largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pas një periudhe do të reflektohen edhe në aspektin ekonomik.

Për të gjitha këto, Gërxhaliu thotë se duhet pritur vendimin e Bashkimit Evropian, për dinamikën kohore të shkëputjes së Britanisë së Madhe.

“Dhe nëse do të ketë dy vjet, atëherë Kosova nuk do të jetë e reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por, sidoqoftë, është një momentum mjaft sfidues. Por, dua të besoj se komuniteti i biznesit vendor dhe sektori privat do ta përballojnë dhe do të gjejnë tregje alternative për të depërtuar në tregjet evropiane”, tha Gerxhaliu.

Në anën tjetër, sa i përket tregtisë së jashtme të Kosovës, Britania e Madhe nuk figuron si partner kryesor për eksport dhe import.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera e eksportit, gjatë vitit 2015, nga Britania e Madhe në Kosovë ka qenë 810 mijë euro, kurse importet e produkteve nga ky shtet në tregun kosovar kanë arritur në mbi 16 milionë euro. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG