Rusia thotë se Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i ka shkruar homologut rus, Vladimir Putin duke i kërkuar falje për rrëzimin e aeroplanit rus nga ushtria turke vitin e kaluar.
“Udhëheqësi i shtetit turk... ka shprehur keqardhjen dhe ngushllimet e tij të thella” te familja e pilotit të vrarë dhe “ka kërkuar falje”, njofton sot zëdhënësi i presidences ruse, Dmitry Peskov.
Peskov ka shtuar se Erdogani gjithashtu ka thënë se ai dëshiron të bëjë “çdo gjë që është e mundshme për rikthimin e marrëdhënieve tradicionalisht miqësore në mes të Turqisë dhe Rusisë”.
Autoritetet turke ende nuk e kanë komentuar këtë njoftim.
Rusia ka vendosur ndalesa për Ankaranë duke ndaluar edhe ofertat turistike për në Turqi pas rrëzimit të aeroplanit rus në afërsi të kufirit siriano-turk në nëntor të vitit të kaluar.
Putini kishte thënë se ndalesat nuk do të hiqen derisa Erdogani të kërkoj falje për incidentin.