Ndërlidhjet

logo-print

Inaugurohet “autostrada energjetike" Shqipëri-Kosovë


Është finalizuar projekti më i rëndësishëm energjetik ‘Linja e interkoneksionit 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës', me një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës.

Përmes një komunikate për media, të lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, thuhet se ky projekt është vlerësuar nga përfaqësuesit e dy vendeve si një vepër e madhe e një tregu të përbashkët të energjisë në mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ky projekt do të zgjerohet më tutje edhe në vende tjera në Evropën Juglindore.


“Energjia është shtyllë e jona tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Kemi nevojë për energji stabile dhe të bollshme për biznese dhe ekonomi familjare, si parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe si parakusht i mirëqenies së qytetarëve tanë”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se me projektin e interkoneksionit 400 kilovatësh mes dy vendeve po krijohen premisat themelore për një treg të përbashkët të energjisë.

“Inaugurimi i kësaj linje është nisja e një kapitulli të ri për integrimin e të dy vendeve. Sot shohim me krenari sa shumë kemi bërë për t’u afruar dhe për t’i dhënë hapësirës tonë të përbashkët fuqi dhe portenciale zhvillimi, përmes një integrimi të gjithanshëm, duke filluar nga energjia e duke vazhduar në të gjithë sektorët”, tha Rama.

Ky projekt kishte filluar në vitin 2013, pas nënshkrimit të një protokolli bashkëpunimi qeveritar në mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku energjetika ishte vlerësuar si fusha me potencial për investime të përbashkëta.

Vlera e përgjithshme e projektit ishte 75.5 milionë euro, 33.5 milion euro u financuan nga Kosova, ndërsa 42 milionë euro të tjera nga Shqipëria.

XS
SM
MD
LG