Ndërlidhjet

SHBA: Përkundër shqetësimeve, lejohen mbifluturimet ruse


Ilustrim
Ilustrim

Sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare, Uashingtoni e ka autorizuar një aeroplan vëzhgues të Rusisë, që të fluturojë mbi territorin e Shteteve të Bashkuara, duke e mbyllur një mospajtim që kishte shkaktuar kritika të zëshme nga disa ligjvënës, për shkak të teknologjisë që përdoret nga rusët.

Ky vendim i një grupi ndërqeveritar ishte fokusuar në Marrëveshjen për Qiellin e Hapur, të arritur para 14 vitesh, që synon rritjen e transparencës dhe sigurisë ndërkombëtare, duke u lejuar shteteve nënshkruese të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të njëra-tjetrës, t’i monitorojnë instalimet ushtarake dhe objektet e tjera.

Sipas një zyrtari amerikan, me njohuri për këtë proces, vendimi final për autorizimin e fluturimeve ruse u bë pas konsultimeve në Moskë, që përfunduan vonë më 28 qershor.

Më herët këtë vit, qeveria ruse formalisht kërkoi që aeroplani me pajisje speciale i tipit Tupolev Tu-154, të lejohet të kryejë fluturim mbi territorin e Shteteve të Bashkuara.

Por, disa ligjvënës të Shteteve të Bashkuara dhe disa zyrtarë të lartë të mbrojtjes, në mënyrë publike kanë shprehur shqetësim se Rusia po përdorte kamera me teknologji të avancuar, që do të ishin shumë më të bezdisshme se në të kaluarën.

“Gjërat që ju mund t’i shihni, sasia e të dhënave që ju mund t’i mblidhni, gjërat që mund t’i bëni pas procesimit, sipas mendimit tim, i lejojnë Rusisë që të ketë bazë të jashtëzakonshme të inteligjencës për infrastrukturën kritike, portet dhe të gjitha kapacitetet tona”, i patë thënë komitetit përkatës të Dhomës Përfaqësuese, gjenerali, Vincent Stewart, drejtor i Agjencisë Mbrojtëse të Inteligjencës, gjatë një dëgjimi në muajin mars të këtij viti.

Këto dyshime ishin thelluar nga një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, ku thuhet se Rusia i ka vendosur disa kufizime në fluturimet vëzhguese të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht rreth enklavës së Kaliningradit në Detin Baltik dhe afër rajonit të Kaukazit, ku është territori i Gjeorgjisë.

E gjithë kjo – së bashku me rritje të tensioneve rreth aksioneve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, Siri dhe tjetërkund – ka ndikuar te ligjvënësit që të përfshijnë amendamente në legjislacionin vjetor të politikës mbrojtëse, me të cilin refuzohet lejimi i fondeve për Departamentin e Mbrojtjes, derisa këto shqetësime të kapërcehen.

Një zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se me gjithë lejimin e mbifluturimeve ruse, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë t’i bëjnë presion Rusisë lidhur me disa kufizime ndaj fluturimeve vëzhguese amerikane.

“Derisa ne punojmë për zgjidhjen e këtyre problemeve të bashkëpunimit, Marrëveshja për Qiellin e Hapur vazhdon ta forcojë mirëkuptimin dhe besimin reciprok, duke u dhënë 34 palëve shtetërore të marrëveshjes aftësi për tubimin e informacioneve me anë të pamjes nga ajri për forcat ushtarake dhe aktiviteteve shqetësuese për palët”, tha ky zëdhënës, që ka kërkuar të mos identifikohet sipas politikës së departamentit.

Njëri prej kritikëve më të zëshëm të kësaj çështjeje, anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Mike Rogers, republikan nga Alabama, ka vazhduar ta kritikojë vendimin e administratës për lejimin e mbifluturimeve.

“Është alarmuese që administrata është e gatshme ta lejojë Rusinë që të kalojë nga shkeljet e marrëveshjeve në kërcënime për personelin ushtarak dhe diplomatik të Shteteve të Bashkuara. Oficerët e lartë ushtarak të vendit tonë dhe zyrtarët e mbrojtjes ishin të qartë lidhur me kërcënimin që paraqet lejimi i Rusisë për t’i vazhduar këto fluturime. Kjo nuk do shumë mençuri”, thuhet në deklaratën e zotit Rogers për Radion Evropa e Lirë.

Raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës janë në nivelin më të ulët prej Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme për separatistët e armatosur në pjesën lindore të Ukrainës, pastaj edhe për shkak të synimeve të ndryshme në konfliktin në Siri, mburojën e filluar raketore amerikane në Evropë dhe praninë e shtuar të NATO-s në Evropë.

Për këtë prani të shtuar, aleanca dhe pjesa më e madhe e shteteve anëtare në lindje thonë se është përgjigje ndaj këmbëngulësisë në rritje të Rusisë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG