Ndërlidhjet

IS-i dhe kërcënimi nga armatimi për shkatërrim masiv


Ilustrim - Brenda një centrali bërthamor, 2007
Ilustrim - Brenda një centrali bërthamor, 2007

Nga David Patrikarakos

Prej Falluxhës në Mosul, prej Parisit në Bruksel, organizata terroriste, që veten e quan vrasësit e Shtetit Islamik (IS), ka sakatuar, ka skllavëruar mizorisht, dhe pothuajse nuk është ndëshkuar. Por, tash bota është zgjuar duke e parë kërcënimin serioz që paraqet ky grup, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Krime tmerruese të IS-it

Krimet e Shtetit Islamik janë mjaft tmerruese edhe për kapacitetet aktuale të tij, por tashmë gjithnjë e më tepër në mesin e politikanëve dhe zyrtarëve ushtarakë shtrohet pyetja: çka ndodhë nëse IS-i siguron armatim për shkatërrim masiv?

Më herët këtë muaj, autori i këtyre rreshtave mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Luksemburgut për Parandalimin e Katastrofës Atomike në Amsterdam, që është një Organizatë joqeveritare (OJQ), e formuar për t'u marrë saktësisht me këtë lloj të problemit. Ajo që doli si konkludim është se rreziku që Shteti Islamik të sigurojë këtë armatimin të frikshëm tash është domethënës.

Sipas një eksperti, i cili ka marrë pjesë në forumin e përmendur, rreziku tash është i dyfishtë.

Kërcënimi më i zymtë do të ishte nëse Shteti Islamik do të kishte aftësi që t’i ketë duart e tij në materialet atomike. Kjo do të nënkuptonte, për shembull, tipin e uraniumit të pasuruar, që Irani e përdorë në programin e tij bërthamor, nga i cili në mënyrë teorike, Shteti Islamik, mund të bëjë bombë të vogël atomike me pasurim të mëtejshëm, ose armatim ekzistues me shkallë të plutoniumit, nga i cili mund të arrijë rezultat të ngjashëm.

Gjasat e IS-it për bombë – të vogla

Por, gjasat e IS-it për të pasur aftësi për ta arritur këtë janë të vogla. Materialet e domosdoshme janë të vendosura në vetëm 24 shtete dhe gjenden në kapacitete me mbrojtje të lartë. Megjithatë, në të kaluarën kanë ndodhur disa gabime në siguri.

Në vitin 2012, aktivistja paqësore, Megan Rice, 82 vjeçare, ka depërtuar në rezervat atomike në Oakridge në Tenesi në Shtetet e Bashkuara.

Ajo asnjëherë nuk ka marrë asnjë material bërthamor, por shumë sisteme kanë dështuar derisa ajo ka arritur aq thellë.

Në Britani, po ashtu, ka ndodhur diçka e tillë. Sipas një raporti të Ministrisë së Mbrojtjes së këtij vendi, rojtarët në një kapacitet atomik ishin zënë duke fjetur në vendin e punës.

Më tutje, ka edhe probleme me nivelin e varfër të sigurisë në vendet që kanë qendra kërkimore në ish-Bashkimin Sovjetik.

Gjasat që IS-it që t’i shfrytëzojë këto mangësi në sigurinë e kapaciteteve atomike janë të vogla, por jo të parëndësishme. Rreziku më i madh vjen nga vendet me gjendje jo stabile, e që kanë sasi të mëdha të aktivitetit të dokumentuar radikalist: Pakistani, Rusia dhe India, ndërsa në krye të listës është pa dyshim Pakistani.

Sulm eventual në kapacitetet atomike

Për më tepër, siç thotë gjenerali i pensionuar, Vladimir Dvorkin, nga Qendra për Siguri Ndërkombëtare në Akademinë e Shkencave të Rusisë, “ekziston shumë aktivitet ilegal, trafikim ilegal i materialeve natyrore, prandaj Shteti Islamik mund të blejë për sasi të caktuar të parave ose mund të interceptojë në trafikimin ilegal”.

Më tutje, ai thekson se “duket se ata kanë mjaft para për t’i rekrutuar shkencëtarët për ndërtimin e kapacitetit fillestar atomik. Pra jo kokë atomike, por pajisje eksploduese bërthamore. Në fakt, ajo mund të peshojë vetëm pak tonelata, por është diçka që mund të kompletohet afër një hapësire të banuar ose në anije, që mund të sillet afër brigjeve të Shteteve të Bashkuara apo Evropës”.

Problem tjetër mund të jetë sulmi me armatim konvencional në ndonjë kapacitet atomik, që sigurisht mund të shkaktojë katastrofë, sikur ajo në Çernobil ose edhe më keq.

Pra, duket pothuajse i pamundshëm ndonjë sulm kundër një centrali atomik të energjisë, derisa ato kanë mbrojtje substanciale. Por, sulmi kundër një kapaciteti kërkimor atomik, që ka reaktorë të mbushur me materiale atomike, është shumë më i lehtë dhe ato gjenden në shumë qytete.

Sipas gjeneralit Dvorkin, edhe sulmi i depos atomike me bombë relativisht të vogël, do të nënkuptonte shkatërrim të ndërtesave në një rreze prej 3-4 kilometrash dhe pasoja në hapësirë më të madhe.

Kërcënimi me “bombë të pistë” - real

Problem tjetër dhe shumë më aktual është sulmi me pajisje radiologjike. Materialet për këtë janë të vendosur në më tepër se 100 qytete dhe mund të gjenden edhe në kapacitete që nuk janë të specializuara, pastaj në spitale – për trajtim të kancerit – dhe ato për dallim nga kapacitetet atomike madhore, nuk kanë roje dhe armë.

Një ekspert ka tërehequr vërejtjen se IS-i ka shumë kapacitete të këtilla në territorin që aktualisht e ka nën kontroll dhe, rrjedhimisht, kërcënimi me “bombë të pistë” (që është radiologjike e jo atomike) tash është real.

IS-i mendon strategjikisht, por ka gjasë të vogla

Derisa asgjë nuk është e sigurt kur kemi të bëjmë me atë që qartas është organizatë fanatike, konsiderohet se Shteti Islamik është i organizuar dhe mendon në mënyrë strategjike.

Gjenerali Dvorkin thekson se gjasat që IS-i të përdorë bile edhe pajisje fillestare atomike janë, po ashtu, të vogla.

Nga ana tjetër, siç ka raportuar e përditshmja New York Times, në muajin shkurt të këtij viti, një person i lidhur me sulmuesit e 13 nëntorit në Paris, është gjetur se posedonte pamje vëzhguese të një zyrtari të lartë atomik të Belgjikës. Prandaj, nga Shteti Islamik mund të pritet çdo lloj i tmerrit, megjithëqë gjasat aktualisht janë shumë të vogla.

Megjithatë, ka ekspertë që i frikësohen më të keqes. Sipas dr. Moshe Kantor, president i Forumit të Luksemburgut, “kërcënimi i grupit terrorist, siç është Shteti Islamik, për të ndërmarrë sulm me bombë atomike në qytetet e mëdha evropiane, siç është Londra, është i lartë”.

Duke pasur parasysh se Shteti Islamik tashmë ka ndërmarrë disa sulme me armatim kimik në Siri, gatishmëria e tij për ta përdorë një lloj të armatimit për shkatërrim në masë, është qartas e pranishme.

Siç thotë Kantor, “kërcënimi i së ashtuquajturës bombë të pistë është i nivelit më të lartë prej përfundimit të Luftës së Ftohtë”.

Duket se bota duhet të jetë e shqetësuar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG