Ndërlidhjet

Kosova shton masat e sigurisë, përfshirë edhe Aeroportin e Prishtinës


Foto nga arkivi - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, "Adem Jashari"

Foto nga arkivi - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, "Adem Jashari"

Pas sulmeve terroriste me bomba dhe të shtëna armësh në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit, që ndodhën ditë më parë, mekanizmat e sigurisë në Kosovë kanë shtuar masat e sigurisë nëpër pika të caktuara, duke përfshirë këtu edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Institucionet publike, vendet ku ka grumbullim më të madh të qytetarëve, apo edhe rrugët kryesore, janë vënë aktualisht nën një mbikëqyrje më të madhe, si masë parandaluese për çdo akt të mundshëm.

Shtimi i masave të sigurisë edhe në Kosovë bëhet në kohën kur shumë shtete të Evropës qendrore dhe perëndimore kanë ngritur nivelin e sigurisë, pas sulmeve terroriste në Stamboll, të cilat lanë pas vetes 42 persona të vrarë dhe 230 të plagosur.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se pas vlerësimeve që i janë bërë gjendjes së sigurisë dhe informacioneve që kanë në dispozicion, janë ndërmarrë masat konkrete, të cilat garantojnë siguri.

“Pas rasteve të fundit të sulmeve që ndodhën në aeroportin e Stambollit, ne kemi ndërmarrë të gjitha masat e mundshme dhe të nevojshme për parandalim të rasteve të tilla terroriste”.

“Kosova nuk mund të jetë imune ndaj këtij fenomeni, sikurse nuk janë edhe vendet tjera në rajon dhe në botë. Çdo herë bëjmë edhe vlerësim të situatës dhe sipas informacioneve që posedojmë ndërmerren edhe masat respektive për të garantuar një siguri të përgjithshme nëpër pikat e caktuara, duke përfshirë edhe Aeroportin e Prishtinës”, ka thënë Hoxha.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë bërë të ditur se gjithçka është duke u zhvilluar normalisht dhe pa ndonjë problem.

Driton Hyseni, koordinator i fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, thotë se shërbimet e sigurisë janë në nivel dhe po bëhet gjithçka që udhëtarët të priten dhe të përcillen në mënyrë adekuate.

“Nuk ka ndonjë ndryshim në planifikimet e orareve të fluturimeve. Të gjitha fluturimet janë duke u realizuar, përveç një fluturimi që dje ishte anuluar nga kompania ‘Turkish Airlines’, fluturim ky që kishte për nisje aeroportin Atatruk të Turqi dhe arritje në aeroportin e Prishtinës”, ka bërë të ditur Hyseni.

Institucionet përgjegjëse të sigurisë, ndërkohë, kanë theksuar se masat parandaluese në luftimin e terrorizimit, të ndërmarra nga mekanizmat për zbatimin e ligjit, kanë konkluduar se në Kosovë është një gjendje krejt ndryshe krahasuar me dy vite me parë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka ritheksuar se që nga shtatori i viti të kaluar nuk ka asnjë person nga Kosova i cili i është bashkangjitur grupeve terroriste në luftërat e huaja.

Në verën e vitit 2014, Policia e Kosovës bastisi një numër lokacionesh të dyshuara për veprimtari të jashtëligjshme, dhe arrestoi një numër personash të dyshuar, qoftë për aktivitete që ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. Në mesin e të arrestuarve ndodheshin edhe një numër i imamëve të Kosovës.

Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, por edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë theksuar se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, ka arritur në rreth 300. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG