Ndërlidhjet

logo-print

Për dy muaj, 15 raste të kafshimit nga gjarpërinjtë 


Ilustrim

Ilustrim

Gjatë këtij viti, brenda dy muajve, 15 persona janë kafshuar nga gjarpërinjtë në Kosovë. Këto të dhëna janë publikuar nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke u bazuar në numrin e pacientëve që kanë kërkuar ndihmën mjekësore. Por, pikërisht këta dy muaj, kjo klinikë ishte përballur edhe me mungesë të serumit për të trajtuar helmimet që ishin pasojë e kafshimeve nga gjarpërinjtë.

Për këto mungesa të serumit, për Radion Evropa e Lirë ka folur Hamdi Ramadani, infektolog, njëherësh drejtor i Klinikës Infektive. Tash për tash janë siguruar disa doza, ndonëse në një numër minimal.

“I kemi siguruar disa doza, që kanë qenë të domosdoshme, derisa tashmë pacientët në nevojë e kanë marrë. I kemi pasur pesë doza rezervë, si dhe dy ampula, e që këto të fundit janë donacion”, ka deklaruar Ramadani.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, drejtori Naser Ramadani ka deklaruar se kanë bërë përpjekje që të sigurojnë serum të nevojshëm për pacientët, duke bashkëpunuar kështu me Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe Fondacionin për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF.

Ramadani thotë se një angazhim tjetër ishte ai i vetëdijesimit të qytetarëve për t’u mbrojtur nga kafshimet e gjarpërinjve.

“Instituti interesohet që këto pickime të parandalohen, duke mbrojtur qytetarët, pasi gjarpërinjtë nuk sulmojnë, por që duhet pasur kujdes nga vendet me shkurre, mure të vjetra, e kështu me radhë”.

“Duke e pasur për bazë situatën epidemiologjike në vend dhe raportimin e rasteve të kafshimit nga gjarpri, ku tashmë mbi 16 qytetarë janë kafshuar, ne kemi lobuar në sigurimin e serumeve të nevojshme”, ka thënë Ramadani.

Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Jeton Shala, ka thënë se tashmë i ka dorëzuar Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare gjashtë serume kundër kafshimit të gjarprit (serum anti-viperum), të cilat do të mund të përdoren në rast se ka nevojë për to, për pacientët eventual.

Këto serume janë siguruar përmes kontakteve me autoritetet shëndetësore të vendeve fqinje, në përpjekje për të mbështetur shërbimet shëndetësore për sigurimin e këtyre serumeve, duke ditur numrin e kufizuar të tyre, që posedojnë institucionet shëndetësore.

Kosova prej vitesh është ballafaquar edhe me problemin mjedisor, me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, gjë që, sipas profesionistëve shëndetësorë, tashmë është bërë një problem kronik.

Për dy muaj të këtij viti, në Kosovë janë pickuar nga rriqrat 215 persona. Zonat e identifikuara endemike me rriqra janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku hyn edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, dhe Ministria e Mjedisit, ka disa vite që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.

Si rezultat, këtë vit, por as vitin e kaluar, nuk ka pasur vdekje të personave nga ethet hemorragjike, "krime kongo".

Ndryshe, nga ethet hemorragjike, vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG