Ndërlidhjet

logo-print

Serbia, ushqyese e nacionalizmit me mite


Shënimi i Ditës së Shën Vidit në Gazimestan, Mazgit, 28 qershor 2016

Shënimi i Ditës së Shën Vidit në Gazimestan, Mazgit, 28 qershor 2016

Politikanët serbë kanë përdorur dhe vazhdojnë t’i përdorin ose keqpërdorin mitet dhe legjendat e ndërtuara mbi ngjarje të caktuara historike, për të ushqyer nacionalizmin tek populli i tyre, vlerësojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe njohës të zhvillimeve politike në vend, si shqiptarë, ashtu edhe serbë.

Kjo, sipas tyre, është shpërfaqur edhe një herë në shënimin e Ditës së Shën Vidit, më 28 qershor, në tubimin në Gazimestan, por edhe me vendosjen në Mitrovicë të veriut të shtatores së princit Llazar, princ serb i mesjetës, i cili u vra në Betejën e Kosovës, në vitin 1389.

Historia serbe, këtë betejë, e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike nga forcat e Perandorisë Osmane.

Njohësi i zhvillimeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se pikërisht përdorimi i mitit mbi këtë betejë e pati ngritur Slobodan Milosheviqin si lider gjithë popullor serb, në Gazimestan, në vitin 1989.

“Përgatitja më e mirë për ta çuar në luftë një komb është përdorimi i dendur i ikonografisë mesjetare, përkatësisht, pretendimi i mesjetës për të sotmen. Pikërisht përdorimi i këtij miti, i mitit të humbjes dhe martirizimit të serbëve në betejën anti osmane në Fushë Kosovë, e ka ngritur dhe homogjenizuar nacionalizimin serb dhe praktikisht, luftërat në ish-Jugosllavi kanë filluar pikërisht në Gazimestan, në vitin 1989”, thotë Matoshi.

Momqillo Trajkoviq, politikan serb i kohës kur Millosheviqi kishte ardhur në pushtet, dhe pjesë e strukturave të atëhershme të Partisë Socialiste të Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Dita e Shën Vidit sot shënohet me ndjenjën e pikëllimit, ndonëse është festë që shënon identitetin dhe është pjesë e bazës së kolektivitetit nacional serb.

Megjithatë, sipas tij, kjo festë ishte përdorur në mënyrë të gabuar nga Millosheviqi.

“Fatkeqësisht, në një kohë është përdorur gabimisht, por nuk do të thosha se është keqpërdorur, sepse ashtu siç e solli Gazimestani politikën e Milosheviqit në pushtet, ka mundur ta sjellë një politikë tjetër. Apo, sikur Milosheviqi të nxirrte një fjalim tjetër nga xhepi dhe sikur ai t’i njihte proceset në botë, mendoj se këtë festë sot do ta shënonin të gjithë njerëzit që jetojnë në këto hapësira”, tha Trajkoviq.

Në anën tjetër, duke u shërbyer me mitin mbi princin Llazar dhe Ditën e Shen Vidit, gjatë ceremonisë së vendosjes së shtatores së princit Llazar në Mitrovicë të veriut, me 28 qershor të këtij viti, Marko Gjuriq, shef i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, u ka thënë qytetarëve serbë se “Serbia nuk mund të duhet pa Kosovën”.

“Çfarë patriotizmi është ai, i cili heq dorë nga ajo që është më e çmueshme që e kemi, që heq dorë nga esenca dhe çdo përmbajtje. Prandaj, betimi i Shën Vidit që e themi sot në Kosovë, nuk është vetëm i thjeshtë, por duhet të jetë betim i gjithë popullit serb”, ka thënë Marko Gjuriq.

Por, Valon Murtezaj, zëvendësministër i Jashtëm i Qeverisë së Kosovës, duke iu referuar deklaratave të Gjuriqit,thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarimet apo sjelljet që në esencë kanë elementin e nacionalizmit janë regresive për secilën shoqëri.

Kjo, për më shumë, sipas tij, kur deklaratat e tilla bëhen në data të ngjashme, të cilat rreth 2 dekada e gjysmë më parë kanë qenë nismë e ngjarjeve tragjike në Ballkan, ndonëse konteksti i sotëm rajonal është ndryshe nga viti 1989 dhe është më i favorshëm për paqe.

“Më mirë do të ishte për secilin zyrtar të Serbisë që të investojë energjitë dhe fjalorin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, për të cilën gjë Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë serioze, se sa të merren me deklarata të tilla, të cilat janë aq të papjekura, dhe në fund të fundit, janë të dëmshme, Kjo, sepse shkaktojnë reaksione dhe krijojnë një klimë të fjalorit nacionalist dhe kjo pastaj askujt nuk i shkon për dobi”, thotë Murtezaj.

Por, analisti Matoshi vlerëson se përdorimi i miteve dhe ikonografisë folklorike, e posaçërisht miti për Kosovën, nga ana e politikanëve serbë, “nuk shkrep” më tek njerëzit normal në Serbi. Sipas tij, energjinë për një gjë të tillë, politikanët serbë e derdhin për ta mbajtur ndikimin tek serbët e Kosovës.

“Realisht, nacionalizmi tek serbët, e posaçërisht tek serbët e Kosovës, nuk është që është rikthyer, sepse ai ka qenë këtu. Do të thotë, vazhdimisht është ushqyer nga të gjitha qeveritë e Beogradit kjo ndjenjë emotive nacionaliste, për të vazhduar që serbët të jenë instrumente në duart e pushtetit në Beograd, edhe pse , praktikisht, si shpagim nuk u është dhënë asgjë. Serbët vazhdojnë të jetojnë keq, ndërkaq i proklamojnë politikat nacionaliste të Beogradit”, thotë Matoshi.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se retorika e politikanëve serbë, në funksion të ushqimit të nacionalizmit, nuk është risi dhe është e pritshme që ajo mund të vazhdojë edhe më tej. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG