Ndërlidhjet

Pabarazi e fëmijëve në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë ka pabarazi të mëdha të fëmijëve dhe këto pabarazi janë shumë të theksuara në aspektin gjeografik. Fëmijët që jetojnë në pjesët rurale të vendit nuk kanë privilegje sa mund të kenë fëmijët që jetojnë në qytete, thonë për Radion Evropa e Lirë udhëheqës Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, në Kosovë.

Ata tregojnë se në hulumtimet e bëra në Kosovë pabarazitë tek fëmijët janë shfaqur në disa dimensione, por që veçohen shëndetësia, arsimi dhe siguria.

Laila Omar Gad, udhëheqëse e UNICEF-it në Kosovë, përkatësisht Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka potencuar se një pabarazi tek fëmijët në Kosovë shpie tek shumë pabarazi tjera.

“Ne i shohim dallimet në disa dimensione. Do të veçoja shëndetin dhe arsimin. Po i jap dy shembuj; te fëmijët që janë të keq-ushqyer apo që nuk janë të ushqyer si duhet, kjo shkakton ndikim negativ në shëndetin e fëmijës dhe pastaj si rrjedhë e kësaj vjen deri tek problemet intelektuale të fëmijëve dhe pastaj prej kësaj vjen deri tek problemet tjera siç është edukimi i tyre i mëtutjeshëm”.

“Një shembull tjetër, është sa i përket dhunës, ata fëmijë që kanë përjetuar dhunë në femërinë e tyre kjo shkakton që ata të kenë probleme në edukimin e tyre në jetën e mëvonshëme”, thotë ajo.

Përveç aspektit gjeografik, shton Omar Gad, dallimet janë të theksuara edhe tek komunitetet, sidomos kur janë në pyetje fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.

“Sa i përket ligjeve gjithçka është në rregull dhe nuk janë aspak diskriminuese ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, por megjithatë në shoqëri ka ende nga ata që janë diskriminues ndaj këtyre komuniteteve dhe kjo shpie që ata të mbesin anash në shoqëri, krahasuar me të tjerët”, thotë Omar Gad

Shqetësimi më i madh, shton ajo mbetet buxheti i pamjaftueshëm për arsim dhe shëndetësi që ndahet nga buxheti i shtetit për fëmijët në Kosovë. Buxheti aktual, sipas saj, është i pamjaftueshëm për të ofruar mbrojtje sociale për fëmijët në Kosovë.

Burime të pabarazisë tek fëmijët në Kosovë konsiderohet të jenë edhe kushtet e vështira ekonomike dhe sociale të familjeve në Kosovë. Nga ky faktorë thuhet të rrjedhin pabarazi të shumta, në arsim, në shëndetësi, si dhe në aktivitete tjera që ndërlidhen me fëmijët.

Zyrtarë të institucioneve në Kosovë thonë se vërehen pabarazi të dukshme tek fëmijët që jetojnë në ekonomi të varfëria familjare në mes fëmijëve që jetojnë në ekonomi familjare të pasura.

Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe mundësi të barabarta në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se çështja e pabarazisë tek fëmijët është e ndërlidhur me elemente socio-ekonomike.

“Kosova është një vend i varfër, kemi varfëri të skajshme dhe pabarazitë vërehen edhe brenda shkollës, klasës, por që sistemi arsimor provon t’i mbështes këto kategori të fëmijëve që kanë kushte të vështira ekonomike dhe sociale”, thekson Jonuzi.

Ajo tregon se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës kanë adresuar politika arsimore për parandalimin e pabarazive tek fëmijët që bëhen kryesisht në shkolla.

Pabarazi e theksuar e fëmijëve në Kosovë vërehet tek një numër i konsiderueshëm i fëmijëve të cilët punojnë. Kryesisht fëmijët që punojnë i takojnë familjeve të cilat jetojnë në ekonomi familjare të varfra

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se përqindja e fëmijëve të moshës pesë deri në shtatëmbëdhjetë vjeç, të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7 për qind,ndërkohë që 6.8 për qind e tyre punojnë në kushte të rrezikshme.

Ali Bajgora, ish-drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat e fëmijëve në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se duhet angazhim i përgjithshëm i të gjithë shoqërisë në Kosovë, që të kenë një qasje pozitive për të promovuar dhe për të plotësuar standardet ndërkombëtare të drejtave të fëmijëve.

Ai thekon se nëse bëhet një krahasim me vitet e para të pasluftës dhe tani ka një ngritje të shkallës në raport me respektimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, por që mbetet ende për tu dëshiruara.

“Ne jemi dëshmitarë ende që një numër i fëmijëve në Kosovë erren me aktivitete punese që nuk janë as për moshën e tyre dhe konsideroj se e dëmtojnë zhvillimin e tyre social, por edhe krijojnë një mundësi potenciale që të jenë subjekt, fatkeqësisht pa dashjen e tyre, i dukurive negative që mund të hasen në rrugë dhe konsideroj që është një çështje me prioritet në aspektin e trajtimit”, thotë Bajgora.

Ndryshe, Kosova ende nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Qysh nga viti 2013 institucionet e Kosovës kishin filluar të hartojnë një ligj të tillë, i cili siç thuhet vazhdon të jetë në proces.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG