Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi bisedon për transformimin e FSK-së me komandantin NATO-s për Evropë


Presidenti, Hashim Thaçi dhe komandanti i Forcave Supreme të NATO-s për Evropë, Curtis Scaparrotti

Presidenti, Hashim Thaçi dhe komandanti i Forcave Supreme të NATO-s për Evropë, Curtis Scaparrotti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim komandantin e ri të Forcave Supreme të NATO-s për Evropë, gjeneralin Curtis Scaparrotti, i cili ishte i shoqëruar edhe nga komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta.

Përveç rolit të KFOR-it në Kosovë, presidenti Thaçi me gjeneralin Scaparrotti, sipas një komunikate për media, bisedoi edhe për punën që është duke u bërë për transformimin e FSK-së në një forcë të re multietnike.

“Ne jemi duke punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Janë shënuar disa përparime, por mbetet për t’u bërë më shumë. Gjithashtu, tani jemi të angazhuar edhe në transformimin e FSK-së në një forcë të re multietnike dhe që shteti ynë sa më shpejtë të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si një parakusht për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s”, tha presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, gjenerali Curtis Scaparrotti, vijon komunikata, e siguroi presidentin Thaçi se stabiliteti i Kosovës dhe pjesës tjetër të Ballkanit mbetet prioritet i lartë i NATO-s.

“Jemi këtu në Kosovë që t’ju mbështesim për atë që keni bërë deri më tani si institucione të Kosovës. Ky është gjithashtu qëndrim NATO-s dhe i ministrave të brendshëm e të jashtëm. I mbështesim përpjekjet tuaja për normalizim të marrëdhënieve me Serbisë, për zhvillim ekonomik dhe do ta vazhdojmë edhe mbështetjen për FSK-në”, citon komunikata gjeneralin Scaparrotti.

Presidenti i Kosovës thuhet se i rikonfirmoi gjeneralit Scaparrotti se KFOR-i gëzon një respekt, besim dhe mbështetje nga të gjithë në Kosovë, pa dallim etnie apo përkatësie fetare.

XS
SM
MD
LG