Ndërlidhjet

Maqedoni: Pushteti rrit presionin ndaj studentëve


 Forcat speciale të policisë së Maqedonisë në hapësirat e Parlamentit Studentor.

Forcat speciale të policisë së Maqedonisë në hapësirat e Parlamentit Studentor.

Profesorët universitarë në Maqedoni thonë se duhet dënuar dhuna ushtruar ndaj studentëve nga ana forcave speciale të policisë. Sipas tyre, pushteti demonstron forcë si rrjedhojë e frikës ndaj studentëve.

Ky reagim vjen pasi të enjten në orët e mbrëmjes së vonshme forcat speciale të policisë në hapësirat e Parlamentit Studentor, i kanë nxjerrë me forcë studentët, pjesëtarë të Plenumit Studentor, të cilët protestonin kundër mashtrimeve zgjedhore gjatë zgjedhjes së kryetarit të Unionit të Studentëve në Universitetin e Shkupit. Davor Popovski nga Fakulteti i Informatikës u zgjodh kryetar i Parlamentit Studentor me më pak se dhjetë për qind të numrit të përgjithshëm të studentëve nga fakultetet e Universitetit të Shkupit.

Profesori i Filozofisë në Universitetin e Shkupit, Ferdi Muhiq, thotë se përdorimi i forcës kundrejt studentëve, është veprim i një regjimi diktatorial. Muhiq thekson se përmes ushtrimit të dhunës ndaj studentëve, pushteti u kërcënohet të gjithë qytetarëve në Maqedoni.

“Me veprimet e fundit, pushteti tregon se është i gatshëm të bëjë gjithçka duke mos i kursyer as të rinjtë vetëm e vetëm të çojë deri në fund realizimin e qëllimeve të veta. Ky veprim është shumë shqetësues, sepse atakon shtyllat bazë të demokracisë siç është e drejta për të zgjedhur dhe respektuar vullnetin e shumicës”, thotë Muhiq.

Ndërsa,ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti, konsideron se me ndërhyrjen e policisë në hapësirën e universiteteve janë çjerrë maskat dhe përfundimisht është e bërë e qartë se si pushteti shantazhon dhe dhunon studentët, po gjithsesi dhe profesorët universitarë.

Jam i bindur se këtë regjim do ta përcjellin në histori studentët. Studentët ishin ata, të cilët ndër të parët shprehën mospajtimin e tyre me këtë regjim, duke organizuar protesta dhe greva. Çdo regjim autokratik ndërtohet kur i ik vëmendjes së studentëve po atëherë kur studentët janë pasiv. Në momentin që zgjohet ajo energji studentore, atëherë çdo regjim i ka ditët e numëruara".

"Edhe pse bëhet fjalë për një rast të rëndë, ku është ushtruar dhunë ndaj studentëve, unë këto ngjarje i shoh si mundësi që studentët, e theksoj veçanërisht studentët t`ia japin goditjen e fundit këtij regjimi”, konsideron Rushiti.

Ndërkaq, Ilia Aceski nga Fakultetii Sociologjisë në Universitetin e Shkupit thotë se tashmë një kohë të gjatë është krijuar një hendek i thellë mes studentëve, në baza partiake që nuk përkon me atë se si duhet të funksionojnë universitete në një frymë krejtësisht të pavarur nga politika.

“Tashmë një kohë të gjatë gjendja në të gjitha fakultetet nuk është normale, nuk është e natyrshme për një shoqëri akademike, nuk janë zgjedhur në rrethana të besueshme as dekanët e fakulteteve, duke shkuar në hierarkinë më të lartë, njëherësh nuk janë të qarta as rregulloret që përcaktojnë zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit Studentor. Këto lëshime bëhen qëllimisht për t’i lënë hapësirë ndërhyrjes së politikës”, vlerëson Aceski, profesor universitar.

Rektori i Universitetit të Shkupit nuk është prononcuar rreth ngjarjeve të fundit, ndërkohë që për të hënën është caktuar mbledhje e jashtëzakonshme lidhur me kërkesat e studentëve.

Studentët kërkuan që në mbledhjen e së hënës, Rektorati i Universitetit të Shkupit “Shën Qirili dhe Metodi” të gjykojë dhunën e policisë ushtruar ndaj studentëve dhe njëherësh të mos e njohin kryetarin e Parlamentit Studentor ngase, siç thanë, ai është zgjedhur me vota të manipuluara.

Studentët njëherësh thanë se nëse nuk përfillen kërkesat e tyre do të vazhdojnë me protesta edhe më radikale.

Plenumi studentor, gjithashtu theksuan se gjatë zgjedhjes së rektorit të ri Nikolla Jankullovski gjatë javës që po e lëmë pas, votat e Parlamentit Studentor në Senat janë të paligjshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG