Ndërlidhjet

logo-print

Irak: Tre ditë zie për sulmet që vranë 119 persona


Ilustrim

Ilustrim

Iraku i ka filluar tre ditët e zisë pas sulmit me bombë në një qendër tregtare në Bagdad që mori jetën e 119 personave dhe plagosi 200 të tjerë.

Kryeministri, Haidar al Abadi e ka vizituar vendin e sulmit më 4 korrik ku ai edhe ka njoftuar për ditët e zisë. Ai gjithashtu i ka urdhëruar zyrtarët që ta hetojnë në tërësi incidentin për tu siguruar që të gjithë personat përgjegjës për sulmin të dënohen.

Përgjegjësinë për sulmin e djeshëm me veturë bombë në qarkun Karrada e ka marrë grupi terrorist, Shteti Islamik.

Një pjesëtar i forcave irakiane të sigurisë i cituar nga AFP ka thënë se duhen “disa ditë” për të nxjerrë të gjithë trupat e pajetë nga vendi ku është kryer sulmi.

Një bombë tjetër është shpërthyer më 3 korrik në Shaab, zonën veriore të Bagdadit, duke vrarë pesë persona të tjerë.

Shtëpia e Bardhë i ka dënuar sulmet duke thënë se ato vetëm sa e forcojnë përkushtimin amerikan për ta luftuar IS-in.

“Ne mbesim të bashkuar me popullin dhe qeverinë irakiane në përpjekjet tona për të shkatërruar ISIL”, thuhet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar IS-it.

XS
SM
MD
LG