Ndërlidhjet

Iraku në zi për viktimat e sulmit masiv terrorist


Ilustrim
Ilustrim

Numri i njerëzve të vrarë në sulmin e së dielës në Bagdad ka shkuar në së paku 213, kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Irakut. Së paku 147 veta të tjerë janë plagosur.

Një kamion i mbushur me eksplozivë ka shpërthyer në qarkun Karrada, derisa qytetarët kanë qenë duke bërë pazaret për Festën e Bajramit.

Besohet se ky është sulmi më vdekjeprurës në Irak qysh në vitin 2007. Ekipet e shpëtimit thonë se familje të tëra janë vrarë dhe se shumë njerëz janë djegur rëndë.

Grupi militant Shteti Islamik ka thënë se ka kryer sulmin vetëvrasës.

Ai është zotuar se do të intensifikojë sulmet gjatë Muajit të Ramazanit. Sulmi në Bagdad ka nodhur vetëm pak ditë pas masakrave në një restorant në Daka të Bangladeshit, në Aeroportin Ataturk të Stambollit dhe kundër caqeve të sigurisë në Jemen. Sulme vetëvrasëse ka pasur po ashtu në Jordani, në pikën kufitare me Sirinë, dhe në një zonë të krishterë në veri të Libanit.

Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, ka thënë se sulmi në Karrada është “mizor” dhe ka shpallur tre ditë zie kombëtare.

Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë duke thënë se “ky sulm vetëm se forcon vendosmërinë tonë për të mbështetur forcat irakiane të sigurisë”, të cilat luftojnë Shtetin Islamik.

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara – UNICEF – ka reaguar për vdekjen e 25 fëmijëve në sulm.

“Vrasja dhe gjymtimi i fëmijëve është shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Derisa dhuna në Irak rritet, fëmijët vazhdojnë të paguajnë çmimin më të rëndë”, thuhet në reagimin e UNICEF-it.

Pas sulmit në Karrada, al-Abadi ka urdhëruar tërheqjen e të gjitha pajisjeve për detektimin e bombave nga postblloqet e sigurisë. Ai ka udhëruar Ministrinë e Brendshme të rihapë hetimet për marrëveshjet për blerjen e tyre.

Gjashtë vjet më parë, Qeveria e Irakut ka akuzuar një prodhues për furnizimin e vendit me detektorë të rremë të bombave.

Një biznesmen britanik, James McCormick, i cili është dënuar me dhjetë vjet burg, ka shitur mbi 6,000 pajisje të tilla të Irak. Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar eksportin e tyre në Irak në vitin 2010 dhe disa mashtrues të tjerë janë dënuar me burg. Por, përkundër paralajmërimeve se pajisjet janë të padobishme, forcat irakiane të sigurisë kanë vazhduar t’i përdorin ato.

Sulmi në Karrada ka ndodhur një javë pasi forcat irakiane të sigurisë kanë rimarrë kontrollin e qytetit Falluxha nga Shteti Islamik.

Falluxha ka qenë qyteti i parë që ka rënë nën kontrollitn e grupit ekstremist në janar të vitit 2014. Abadi ka thënë se objektiv i radhës i forcave irakiane është Mosuli, kryeqyteti de facto i militantëve, të cilët ndjekin versionin e tyre ekstrem të Islamit sunit. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG