Ndërlidhjet

Kumanovë, protesta kundër vrasjes së katër vjeçarit


Protesta në Kumanovë, 4 qershor 2016

Protesta në Kumanovë, 4 qershor 2016

Disa mijëra shqiptarë kanë protestuar në Kumanovë lidhur me shkeljen për vdekje me makinë të një fëmije katër vjeçar, Almir Aliu, nga një banor i nacionaliteti maqedon, Boban Iliç.

Ngjarja kishte ndodhur para një jave para urgjencës së qytetit, kur pas një zënke banale mes babait të fëmijës së ndjerë dhe autorit të vrasjes, ky i fundit me makinë kishte goditur tre anëtarë të familjes së Sedat Aliut, ku më së rëndi kishte pësuar fëmija, i cili pas plagëve të rënda kishte ndërruar jetë katër ditë më vonë në klinikën spitalore në Shkup.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, ndërsa në protestën e mbajtur para institucioneve lokale në Kumanovë u kërkua dënimi maksimal për autorin e vrasjes.

“Humbja e një jetë fëmije është një akt i cili në asnjë mënyrë nuk mund të kompensohet, por dhënia e dënimit maksimal kryerësit, sado pak zbut dhembjen e shkaktuar."

"Shpresojmë dhe besojmë që të gjitha institucionet përkatëse ta zbatojnë drejtësinë dhe të jenë konstruktivë në drejtim të dhënies së dënimit të merituar kryerësit, dënimin maksimal. Maqedonia edhe njëherë i ka në test institucionet e veta dhe sundimin e ligjit për të gjithë njësoj, pa diskriminim. I japim përkrahje maksimale që ta kalojë këtë test”, deklaroi një nga organizatorët e protestës.

Nga sektori i punëve të brendshme në Kumanovë thonë se aksidenti është zbardhur dhe se ndaj autorit janë ngritur dy padi penale për vrasje dhe cenim të sigurisë. Boban Iliç ndodhet në paraburgim 30 ditor, në pritje të nisjes së procesit gjyqësor ndaj tij.

Njohësit e çështjeve ndëretnike kanë bërë thirrje që rastit të mos i jepen ngjyrime etnike, pasi sipas tyre krimi nuk njeh fe dhe kombësi. Ata kanë kërkuar gjithashtu që ky rast sa më shpejt të merr epilogun gjyqësor, duke i dhënë dënimin e merituar autorit të kësaj vepre të rëndë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG