Ndërlidhjet

“Derisa jam i vdekur, familja ime jeton”


Qytetarë të Koresë së Veriut, 4 Maj 2016.
Qytetarë të Koresë së Veriut, 4 Maj 2016.

Nga Roman Super dhe Claire Bigg, Radio Evropa e Lirë

Vlerësohet se 29 mijë vetë janë larguar nga Koreja Veriore prej Luftës së Koresë, në vitet e 50-ta.

Megjithatë, pak prej tyre kanë gatishmëri për të treguar detaje për jetën e tyre në vendin më të izoluar në botë.

Megjithatë, një person i larguar është pajtuar që tregimin e tij ta ndajë me Radion Evropa e Lirë.

Ngritja dhe rënia e personit, Dzhon Kehn Mu, ka përfunduar me ikjen e tij dramatike nga Koreja Veriore, me një kuti të rrënjëve të bimës “ginseng”.

Si shef i një hoteli në vendlindjen e tij në kryeqytetin Phenian, personi Dzhon ishte njëri nga pak njerëzit që kishte kontakte të afërta me të jashtmit.

Shtetasit nuk mund të flasin lirisht me të jashtmit. Ligjet totalitare të Koresë Veriore ua ndalojnë shtetasve të vet që lirisht të flasin me të huajt, prandaj kontaktet e tij me mysafirët e hotelit ishin të kufizuara, me disa rregulla të mirësjelljes, të përcaktuara nga shteti.

Por, ndodhi një gjest i sinqertë i mikpritjes, që përgjithmonë e ndryshoi jetën e tij.

“Një delegacion i koreanëve japonezë shpeshherë vendosej në hotelin tonë”, i tha Dzhon Radios Evropa e Lirë në Korenë Jugore, ku ai kishte kërkuar status të refugjatit, pas largimit nga Koreja Veriore, në vitin 2003.

“Një ditë ia dhurova njërit prej këtyre japonezëve një kuti me bimën ginseng, ndërsa në shenjë falënderimi ai mi dha 300 dollarë amerikanë”, thotë Dzon, duke theksuar se ky ishte fillimi i tregimit të tij.

Aktivitetet komerciale ishin të ndaluara nga udhëheqja kolektive e Koresë Veriore. Por, në vitet e 90-ta, derisa uria përhapej në gjithë vendin, duke shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, kishte lulëzuar tregu i zi në këtë vend të izoluar. Në vitin 2002, me lansimin e parkut të parë industrial, autoritetet përfundimisht e tërhoqën ndalesën dhe i lejuan shtatsit që të angazhohen në biznese.

Pasi e filloi biznesin u bë ndër më të pasurit.

Personazhi i tregimit tonë, Dzhon Khen Mu, thotë se e kishte shfrytëzuar këtë mundësi dhe ishte hedhur në tregti, ndërsa si kapital fillestar i përdori 300 dollarët amerikanë, që ishte një pasuri e mjaftueshme sipas standardeve lokale.

“Mësova të blejë rroba nga Kina për çmime shumë të ulëta”, thotë Dzhon, dhe shpjegon se “këto rroba ishin liruar nga dyqanet e mëdha dhe ishin paketuar në kuti 100 kilogramëshe, i bleva tri për 300 dollarë, dhe i kam shitur në Korenë Veriore”.

Së shpejti, ai kishte mbledhur 87 mijë dollarë dhe monedha japoneze në vlerë prej më se 12 mijë dollarësh, që ishte një shumë e jashtëzakonshme në vendin, ku pjesa më e madhe e popullit, jetonte me pak dollarë për një muaj.

Derisa disa artikuj themelorë tashmë lejoheshin të bleheshin, Dzhoni thotë se pjesa më e madhe e banorëve të Koresë Veriore jetonte në varfëri dhe mbështetej në sistemin e ndihmave shtetërore për mbijetesë. Secili shtetas merrte një porcion ditor për oriz, pastë soje dhe sheqer. Po ashtu, jepeshin edhe artikuj të veshmbathjes nga shteti.

Në këtë shtet me varfëri të madhe, biznesi i Dzhon Khen Me lulëzonte dhe ai u bë njëri nga njerëzit më të pasur në Korenë Veriore.

Me rritjen e pasurisë – rritej rreziku

Por njëherësh, në shtetin që është ndër regjimet më despotike në botë, gjendja e tij financiare, që rritej gjithnjë e më tepër, paraqiste rrezik të madh për të.

“Sasi të mëdha të parave të jashtme në duart private paraqesin kërcënim për autoritetet, e veçanërisht nëse këto para nuk ndahen me shtetin, në mënyrën siç ai dëshiron”, thotë Dzhon.

Ai thekson se më parë kurrë nuk kishte menduar të largohej nga vendi i tij. Përkundër rregullave tejet të ashpra nga autoritetet, ai e kishte punën që i pëlqente, e kishte gruan e vet të dashur dhe dy fëmijë, dhe mjaft para të gatshme për të jejtuar në mënyrë të qetë, ashtu sa lejon shteti në Korenë Veriore.

Por, kur kolegët nga fusha e biznesit filluan të zhduken njëri pas tjetrit, ai thotë se e kishte kuptuar se kishte ardhur koha për të ikur.

“Nuk kisha zgjidhje tjetër, meqë isha i frikësuar kur mësova se të gjithë partnerët e mi të biznesit ishin zhdukur dhe pastaj njerëzit më tregonin se si dhe ku ishin vrarë”, thotë Dzhon.

Biznesi në Korenë Veriore është nën vëzhgim të fuqishëm nga shërbimet e sigurimit. Ata që konsiderohet se kanë krijuar shumë pasuri dhe ndikim, ose burgosen ose ekzekutohen, thotë ai.

“Isha shumë i vetëdijshëm për faktin se unë isha caku i ardhshëm”, thotë Dzhon për Radion Evropa e Lirë dhe shton se “ishte çështje kohe se kur do të arrinin, nesër, pasnesër, pas një jave, por ata deefinitivisht do të vinin për mua”.

Blerja e çertifikatës së rrejshme të vdekjes

Ai e dinte se nuk do të ishte në gjendje ta kalonte kufirin me gruan dhe fëmijët, pasi ishte rrezik i madh. Prandaj, ai vendosi të ndërmerrte diçka të pazakonshme, duke e falsifikuar vdekjen e tij.

Për ryshfet prej 500 dollarësh ai e siguroi një çertifikatë të falsifikuar të vdekjes, me të cilën dëshmoi se e kishte humbur jetën në një ndeshje të automobilit.

“E bëra këtë në mënyrë që ata të mendonin se isha i vdekur dhe ky ishte i vetmi opsion i sigurt për familjen”, thotë Dzhon, duke shtuar se “sikur ta dinin se ishte gjallë dhe se jam larguar, e këtë nuk e kam paraqitur tek autoritetet, atëherë familja do të ndëshkohej rëndë”.

Një ditë të ftohtë të muajit prill ai u largua nga shtëpia, për të mos u kthyer kurrë më. Kaloi nëpër kufirin e Kinës, ku qëndroi katër muaj, duke u fshehur dhe duke pritur një pasaportë të falsifikuar të Koresë Jugore.

Me pasaportë të këtillë ai hyri në Ambasadën e Koresë Jugore në Kinë, ku kërkoi azil politik.

Autoritetet e Koresë Jugore së pari e vendosën në një aeroplan për në Filipine, e pastaj për në Seul.

“Kjo është praktikë e zakonshme, ata që ikin çdoherë në Korenë Jugore dërgohen nëpër një vend të tretë”, thotë Dzhon.

Në aeroportin e kryeqytetit Seul, në Korenë Jugore, ai u prit nga agjentët për intervistë. Pastaj është dërguar në një kamp special, në të cilin ndihmoheshin refugjatët nga Koreja Veriore për përshtatje me jetën në Korenë Jugore.

Jeta e re në mesin e ri, por me frikë për familje

Tash Dzhoni është 60 vjeçar dhe punon si gazetar në Radion Kombëtare të Koresë Jugore, që transmeton për popullatën në veri.

Megjithqë janë mbushur 13 vjet prej se ka arritur në Korenë Jugore, ai ende ka frikë të madhe se do të kapet nga shërbimet sekrete verikoreane. Ai e ka ndryshuar edhe emrin dhe ka refuzuar të fotografohet për këtë tregim.

“Derisa jam i vdekur, familja ime është gjallë”, thotë Dzhon Khen Me.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG