Ndërlidhjet

logo-print

Ekspertët vlerësojnë përkushtimin e BE-së në Kosovë


Ilustrim

Ilustrim

Ekspertët e integrimeve evropiane në Kosovë vlerësojnë se pohimet e liderëve të Bashkimit Evropian, ku theksohet përkushtimi i tyre për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit, në samitin e Parisit, janë të rëndësishme.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se mesazhet që kanë dal nga samiti për vendet e Ballkanit janë të një rëndësie të veçantë, pos tjerash, edhe për Kosovën.

"Në momentin më të duhur kanë ardhur deklarata të tilla. E para; nuk humbet shpresa për integrime të mëtutjeshme ose nuk e ndal një diçka të tillë, dhe e dyta; është një përgjigje më e mirë që mund t'i jepet asaj çka ka ndodhur me referendumin e Britanisë së Madhe, që BE-ja, megjithatë, do të qëndrojë aty dhe do të jetë edhe më e fortë sesa ka qenë deri dje. Ky është një lajm shumë i rëndësishëm për vendet e Ballkanit perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën", tha Ujkani.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, në mbyllje të samitit për Ballkanin Perëndimor në Paris, ka deklaruar se "do të mbajmë fjalën dhe do të vazhdojmë të punojmë për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan, ndërsa vendeve të rajonit u themi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian vazhdon”.

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se samitet si ai që është mbajtur në Paris për vendet e Ballkanit perëndimor kanë për qellim intensifikimin e bashkëpunimit të vendeve në Ballkan.

Sipas tij, procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit perëndimor në BE kryesisht varet nga intensiteti i reformave.

"Deri sa mund të konkludohet si zgjerim i suksesshëm zgjerimi i BE-së në pjesën e Evropës qendrore dhe lindore, pjesa e Evropës juglindore, që ndryshe siç njihet si Ballkani Perëndimor, synon që ta konkludojë procesin e zgjerimit të saj në këtë pjesë të Evropës, duke mbështetur edhe me projektet konkrete, siç janë ato të infrastrukturës", tha Mazreku.

Për të lëvizur tutje në procesin evropian, liderët evropianë kanë theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i reformave, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.

Profesori Ujkani thotë se Kosova, në drejtim të Bashkimit Evropian, ka para vetes shumë punë dhe sfida.

"Ku është Kosova më se miri e tregon fakti i përmbushjes së kritereve. Ne kemi marrëveshjen me MSA-në, e cila ka hyrë në fuqi në prillin e këtij viti, dhe tani duhet të punohet në zbatimin e kësaj marrëveshje. Dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë momenti ma i mirë për ta matur fuqinë e Kosovës në drejtim të asaj se sa ka arritur të ec përpara në agjendën evropiane. Ende nuk e kemi efektin e mjaftueshëm të kësaj marrëveshjeje dhe nuk e besoj që institucionet e Kosovës kanë punuar për fillimin e implementimit te saj", tha Ujkani.

Njohësi i proceseve integruese evropiane, Avni Mazreku, thotë se pasojat kryesore të daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja do të vërehen në aspektin politik, ekonomik dhe juridik. Por, sipas tij, afrimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian do të marrë kohë për shumë arsye.

"Kosova është vendi i fundit në rajon, në Ballkanin perëndimor, për sa i përket procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kosova ka një problem tepër kompleks dhe jetik, e që shumë pak flitet për atë problem, për sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian. Mungesa e pesë njohjeve nga pesë shtete të Bashkimit Evropian asnjëherë nuk i ofron komoditetin Kosovës që ajo të ndihet në raporte normale me Bashkimin Evropian", tha Mazreku.

Në samitin e Parisit, Serbia ka marrë dritën e gjelbër për vazhdimin e mëtejshëm të euro-integrimit. Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Kroacia ka dhënë pëlqimin për hapjen e dy kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, gjë të cilën e ka kundërshtuar deri më tash.

Hahn po ashtu ka thënë se BE ka vendosur të sigurojë 96 milionë euro për tre projekte të infrastrukturës hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG