Ndërlidhjet

logo-print

Clinton “ka vënë në rrezik” Shtetet e Bashkuara

  • RFE /RL

Hillary Clinton

Hillary Clinton

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, “ka vënë gjithë vendin në rrezik” me përdorimin e emailit privat gjatë kohës sa ka qenë sekretare shteti.

Vendimi i FBI-së për të mos rekomanduar padi penale kundër saj është shembulli më i mirë që tregon se sistemi është i manipuluar, tha Trump.

Drejtori i FBI-së, James Comey, tha se Clinton ka qenë e pakujdesshme në trajtimin e informacioneve të ndjeshme, porse nuk mund të ngrihet padi, pasi nuk ka prova se ajo ka vepruar qëllimisht.

Duke folur në një tubim në Karolinën e Veriut, Trump tha se sistemi është krijuar për të mbrojtur Clinton-ët. “Ajo do të ishte një presidente e tmerrshme”, tha Trump.

Ai po ashtu tha se prokurorja e përgjithshme, Loretta Lynch, është korruptuar me premtimin se do të mbetet në punë nëse lejon zonjën Clinton t’i shmanget ndjekjes penale.

Në të njëjtin tubim, Trump lavdëroi në njëfarë mënyre ish-udhëheqësin irakian, Saddam Hussein.

“Saddam Husseini ka qenë njeri i keq. Por, e dini se çfarë ka bërë mirë? Ai ka vrarë terroristë”, tha Trump.

Republikanët e tjerë kanë kritikuar po ashtu vendimin e FBI-së në rastin Clinton. “Refuzimi për të ndjekur penalisht Clintonin për keqpërdorime të pakujdesshme dhe për transmetim të informacioneve të sigurisë kombëtare, vendos një precedent të tmerrshëm”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

Pak orë pas vendimit të FBI-së, Clinton është shfaqur në skenë me presidentin Barack Obama, në Sharllotë të Karolinës së Veriut. Asnjëri prej tyre nuk e ka përmendur rastin. Përkundrazi, Obama i ka ofruar mbështetje të madhe Clintonit.

“Jam këtu sot sepse besoj në Hillary Clintonin. Dua që ju të ndihmoni në zgjedhjen e saj presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Obama, në paraqitjen e tij të parë me Clintonin.

Obama dhe Clinton kanë qenë dikur rivalë, por destinacionet e tyre politike tani janë të lidhura.

“Ndjehem e privilegjuar, sepse e kam njohur presidentin në disa role: si koleg në Senat, si kundërshtar në zgjedhje dhe si president, të cilit i kam shërbyer si sekretare shteti”, tha Clinton.

Çështja e emailit privat, të cilin Clinton e ka përdorur edhe për punët e qeverisë, edhe për biznese personale, ka ndjekur fushatën e saj qysh në mars të vitit 2015.

Sipas ligjit federal amerikan, korrespondenca e zyrtarëve konsiderohet pronë qeveritare e Shteteve të Bashkuara.

Clinton ka dërguar 60,000 emaile gjatë kohës sa ka qenë sekretare shteti, në periudhën 2009-2013, dhe rreth gjysma e tyre kanë qenë private.

Clinton ka thënë se nga llogaria e saj private nuk është dërguar asnjë material i klasifikuar. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG