Ndërlidhjet

Chilcot: Britania e sulmoi Irakun pa i “shterur opsionet paqësore”


John Chilcot duke i paraqitur të gjeturat e hetimit të tij për përfshirjen e Britanisë në invadimin e Irakut
John Chilcot duke i paraqitur të gjeturat e hetimit të tij për përfshirjen e Britanisë në invadimin e Irakut

Hetimet Chilcot kanë gjetur se Mbretëria e Bashkuar e ka sulmuar Irakun “para se t’i shteronte opsionet paqësore” dhe mbi baza të dobëta juridike.

Hetimi publik shtatëvjeçar i urdhëruar nga Qeveria e Britanisë, për rrethanat dhe “mësimet” e invadimit të Irakut në vitin 2003, ka konkluduar se udhëheqja britanike shkoi në luftë “para se opsionet paqësore për çarmatim të shtereshin” dhe ishte i bazuar në inteligjencë me të meta dhe planifikim “krejtësisht jopërkatës”.

Kjo lëvizje, po asthu e kishte dëmtuar rëndë autoritetin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi dështoi të kishte shumicë për aksion ushtarak, thotë mëtutje i ashtuquajturi, Hetimi Chilcot.

John Chilcot është një shërbyes civil, i cili e ka udhëhequr këtë hetim, me ç’rast janë dëgjuar 150 dëshmitarë dhe janë analizuar 150 mijë dokumente.

Raporti, ka hedhur dritë të ashpër në ish-kryeministrin, Tony Blair, i cili i ishte bashkuar invadimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për ta përmbysur liderin e atëhershëm irakian, Saddam Hussein, duke tërhequr vërejtje për “rrezik aktual dhe real” që “grupet terroriste të jenë në posedim të WMD-së”, që është referencë për armatimin për shkatërrim në masë.

Duke i paraqitur konkuldimet e hetimit të tij sot në Londër, zoti Chilcot tha se Brtania “ka zgjedhur t’i bashkohet invadimit të Irakut para se t’i shteronte opsionet paqësore për çarmatim dhe se aksioni ushtarak në atë kohë nuk ishte mjeti i fundit”.

Mëtutje, ai ka theksuar se vlerësimi i qeverisë Blair për projektimin e kërcënimit nga armatimi i Saddam Husseinit, “sigurisht se nuk ishte i arsyeshëm”.

XS
SM
MD
LG