Ndërlidhjet

logo-print

Peskov sugjeron se sulmi në Stamboll ka lidhje me mospërfilljen e Rusisë


Dmitry Peskov

Dmitry Peskov

Kremlini ka sugjeruar se sulmet e tmerrshme të muajit të kaluar në Aeroportin ndërkombëtar në Stamboll, do të mund të parandaloheshin, sikur agjencitë e sigurisë turke dhe evropiane t’i kishin parasysh vërejtjet e Moskës, se terroristët e dyshuar po fshiheshin në Turqi dhe në vende të tjera të Evropës.

Në këtë aspekt, Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, u tha sot reporterëve në Moskë se “gjatë shumë viteve të kaluara, pala ruse i ka informuar kolegët turq dhe evropianë se njerëzit e dyshuar që janë të lidhur me terrorizëm...kanë gjetur strehim në Turqi dhe në një numër të vendeve evropiane”.

“Sinjaleve të këtilla të palës ruse, nuk u është dhënë kujdes përkatës apo ndonjë reagim nga kolegët tanë”, tha Peskov dhe ka shtuar se “na vjen keq që këto sulme mund të kenë pasoja për shkak të mospërfilljes së këtillë”.

Nga sulmi më 28 qershor në aeroportin e Stambollit, që është aeroporti i tretë më i ngarkuar në Evropë, janë vrarë 45 vetë dhe plagosur më se 200 të tjerë. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në vargun e sulmeve vetëvrasëse në Turqi këtë vit.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, por autoritetet turke besojnë se tre sulmuesit me jelekë vetëvrasës dhe me armatim automatik, po vepronin për grupin ekstremist, Shteti Islamik.

Dje, Ankaraja ka shpallur arrestimin e 17 personave të tjerë të dyshuar lidhur me sulme, 11 prej tyre të jashtëm, kështu që tash numri i të arrestuarve është 30.

Autoritetet në Turqi kanë thënë se besojnë se anëtari çeçen i Shtetit Islamik në ikje, me emrin, Akhmed Chatayev, i ka organizuar sulmet në aeroport.

XS
SM
MD
LG