Ndërlidhjet

Sulmet në Arabinë Saudite dhe trashëgimia e Bin Ladenit


Sulmi në Medinë, në afërsi të xhamisë së Profetit Muhamed, 4 korrik 2016
Sulmi në Medinë, në afërsi të xhamisë së Profetit Muhamed, 4 korrik 2016

Osama bin Laden mund të jetë i vdekur, por nëse sulmet e 4 korrikut në Arabinë Saudite tregojnë diçka për audiencën globale, të mpirë nga tmerret e dhunës xhihadiste, është se skenari i tij mbetet në fuqi, edhe pse me ndryshime të mëdha.

Më 4 korrik, tre sulme, me sa duket të koordinuara, kanë tronditur tre qytete saudite: Xhedah, Katif dhe Medina. Medina është qyteti i dytë më i shenjtë në Islam dhe vendi i varrit të Profetit Muhamed.

Në Xhedah, një migrant pakistanez ka sulmuar konsullatën e Shteteve të Bashkuara, duke plagosur dy oficerë të sigurisë. Një xhami shiite është sulmuar në Katif, ndërsa një zyrë e sigurisë në Medinë. Katër roje janë vrarë në sulmin e fundit.

Koha e sulmeve dhe zgjedhja e caqeve janë jetike për të kuptuar natyrën e tyre. Deri më tash, asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për to, por dyshimet bien mbi organizatën terroriste që veten e quan Shteti Islamik.

Sulmet kanë ndodhur në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit. Dhe, sipas Nicholas Heras, hulumtues i Lindjes së Mesme në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane, “Shteti Islamik e ka shpallur muajin e Ramazanit kohë të gjakderdhjes për ata që i konsideron të pafe dhe armiq, myslimanë dhe jomyslimanë”.

Megjithatë, te zgjedhja e caqeve mund të shihet më shumë trashëgimia e Osama bin Ladenit. Bin Laden, shtetas saudit, gjithmonë ka hedhur poshtë legjitimitetin e Shtëpisë së Saudëve, e cila udhëheq mbretërinë, si dhe të drejtën e saj për të ruajtur dy zonat më të shenjta të Islamit: Mekën, vendlindjen e Muhamedit, dhe Medinën.

Qëllimi i Shtetit Islamik është të krijojë një kalifat, duke përfshirë sa më shumë hapësira dhe duke marrë nën kontroll territorin e shenjtë të Islamit.

Janë dy shtylla kryesore që e mbajnë monarkinë saudite. E para është legjitimiteti i të qenët kujdestar i dy vendeve më të shenjta të Islamit. Por, ky legjitimitet është i kontestuar. Fisi Al Saud e ka marrë me forcë kontrollin mbi atë që është bërë Arabi Saudite, në vitin 1932.

Fisi nuk ka kredenciale reale fetare, ndërsa ka arritur të mbijetojë vetëm pasi ka lejuar klerikët të promovojnë një version tejet të ashpër të Islamit Vahabist në tërë mbretërinë.

Në saje të kësaj, familja mbretërore ka fituar përkrahjen e nevojshme fetare. Kombinimi i kësaj përkrahjeje dhe kujdestarisë së Mekës dhe Medinës e rrit ndikimin e mbretërisë në tërë botën myslimane. Nuk është rastësi që Shtëpia e Saudëve quhet “Luani Sunit”.

Sulmi në varrin e prehjes së Muhamedit natyrisht se ka zemëruar botën islame. Por, autorët e sulmit kanë qenë të kujdesshëm. Ata nuk kanë sulmuar xhaminë e Medinës, por zyrën e sigurisë pranë. Kjo mund të interpretohet si sulm mbi aparatin shtetëror saudit dhe jo mbi Profetin.

Shtylla e dytë e Shtëpisë së Saudëve është mbështetja e Shteteve të Bashkuara. Një sulm i Shtetit Islamik mbi Konsullatën e SHBA-së në Xhedah, qytetin më kozmopolit të Arabisë Saudite, është goditje kundër armikut perëndimor.

Por, sulmi në xhaminë shiite në Katif i ka ndoshta pasojat më të rrezikshme rajonale. Lindja e Mesme tashmë është në flakët e betejës midis sunitëve dhe shiitëve, e cila ka arritur përmasa pothuajse gjenocidiale në Irak, Siri dhe Jemen. Për Shtetin Islamik sunit, femohuesit shiitë janë gati më të këqij se të pafetë e Perëndimit.

Ky sulm synon të arrijë dy gjëra. E para, sipas analistit Heras, Shteti Islamik do t’iu dërgojë sinjale shiitëve të Arabisë Saudite, se ata janë të pafe dhe duhet të ikin nga tokat e shenjta të Islamit. Qëllimi i dytë është të krijohen më shumë ndasi midis pakicës shiite të Arabisë Saudite dhe qeverisë. Fakti se Katif dhe shumica e popullsisë shiite të vendit ndodhen në Provincën Lindore të Arabisë Saudite, e cila është e pasur me naftë, krijon probleme më të mëdha për Riadin.

Sulmet me bomba në Arabinë Suadite kanë qenë dinake dhe brutale, ndërsa synim i tyre, njëjtë sikurse i Bin Ladenit, ka qenë t’i dërgohet mesazh shtetit kryesor sunit në Lindje të Mesme. Këtë herë, megjithatë, rreziqet janë më të mëdha. Shteti Islamik kërkon jo vetëm të përmbysë familjen mbretërore saudite, por edhe të pushtojë vetë shtetin. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG