Ndërlidhjet

Ëndrra e çeçenëve për të arritur BE-në


Stacioni i trenave në Brest të Bjellorusisë, 27 qershor 2016
Stacioni i trenave në Brest të Bjellorusisë, 27 qershor 2016

Çdo ditë, treni midis qytetit Brest të Bjellorusisë dhe qytetit Terespol të Polonisë është i stërngarkuar. Treni që zakonisht përbëhej nga tre ose katër vagonë, tani ka tetë.

Aktualisht në Brest janë së paku 1,000 shtetas të republikës ruse të Çeçenisë, që shpresojnë të marrin azil në Bashkimin Evropian. Ata që kanë folur për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se vala e të ikurve nga Çeçenia është rezultat i taktikave shtypëse dhe shpesh të dhunshme që zbaton regjimi i liderit çeçen, Ramzan Kadyrov.

“Për zyrtarët tanë nuk ekzistojnë ligje. Ata dinë vetëm metodat e banditëve. Po bëhet edhe më keq. Njerëzit janë të frikësuar. Kjo është arsyeja përse është rritur numri i refugjatëve”, tha një qytetar çeçen në qytetin Brest, i cili i ka kërkuar Radios Evropa e Lirë të mos identifikohet.

Që nga fillimi i luftës së dytë çeçene në vitin 2004, mbi 70,000 shtetas rusë kanë aplikuar për azil në Poloni, ka bërë të ditur Zyra polake për të Huaj. Shumica e kërkesave kanë ardhur nga rajoni i trazuar i Kaukazit Verior, ku edhe ndodhet Çeçenia.

Magomed Kadyrov ka çrrënjosur gjithë familjen e tij nga Çeçenia në muajin prill. Ai tregon se është rrëmbyer nga shtëpia e tij dhe se është mbajtur për dhjetë ditë nga persona të armatosur, të cilët e kanë rrahur, në përpjekje për t’i marrë informacione në lidhje me një të afërm, i cili është militant në luftën guerile kundër autoriteteve çeçene.

Kadyrov më pas ka shitur çdo gjë që ka pasur dhe është larguar me gruan e tij, Zainra, dhe gjashtë fëmijët. Tani ndodhet në Brest. Si për të gjithë çeçenët në këtë qytet, Kadyrov e di se nuk ka rrugë prapa për familjen e tij. Por, shumica e atyre që nisen për Poloni, kthehen shpesh prapa në kufi.

“Ne jemi 14 veta – familja ime dhe familja e motrës sime prej gjashtë anëtarësh. Disa njerëz këtu kanë bërë dhjetë përpjekje për të kaluar kufirin, të tjerët edhe pesëmbëdhjetë”, tregon Kadyrov.

Të qëndruarit në Brest është një opsion i vështirë.

“Në Çeçeni kemi shitur shtëpinë dhe makinën”, thotë një grua, duke kërkuar të mbetet anonime. “Nuk na ka mbetur asgjë. Paratë po mbarojnë dhe kush e di se çfarë do të ndodhë. Çdo ditë, paguajmë nga 25 euro për strehim në Brest. Kemi para edhe për tre ose katër ditë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, frikësohem të mendoj”, thotë kjo grua e brengosur.

Disa refugjatë përmendin edhe frikën nga dora e zgjatur e liderit të fuqishëm çeçen.

“Njerëzit e Kadyrovit mund të jenë në Brest. Nuk mund të them se ndjehem i sigurt këtu ose në Poloni”, thotë një tjetër qytetar çeçen.

Ramzan Kadyrov sundon Çeçeninë që nga vrasja e babait të tij, presidentit çeçen, Akhmed Kadyrov, në vitin 2004. Ai është kritikuar shumë nga grupet ndërkombëtare të të drjetave të njeriut për shkelje të rënda, si rrëmbime, tortura dhe vrasje pa gjyq. Zyrtarët në qeverinë e tij kanë lidhje me vrasjet e kundërshtarëve politikë të Kadyrovit, gazetarëve kritikë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Kadyrov është i gatshëm të garojë për mandatin e tretë në krye të Qeverisë çeçene, në zgjedhjet e shtatorit. Ai tashmë ka marrë mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin.

Sipas qendrës ruse Memorial, e cila monitoron të drejtat e njeriut, 24 njerëz janë rrëmbyer në Çeçeni në çerekun e parë të këtij viti. Shumica e tyre janë liruar pasi janë frikësuar apo abuzuar. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG