Ndërlidhjet

Veseli kërkon debat në Kuvend për demarkacionin


Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli

Kryetari I Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë që të lejojë debatin në Kuvend “për cështjen e demarkacionit dhe të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ai tha se vendimet në Kuvend duhet të merren pasi të jetë shterrur debati për cështjet e caktuara dhe theksoi se “askush nuk mund t’ia imponojë mënyrën e votimit asnjë deputeti në Kuvendin e Kosovës”.

“Ju nuk po na lejoni as të bisedojmë. Ju nuk e dini as çfarë mendimi kemi. Ju nuk e dini as çfarë vendimi do të marrim. Na lejoni mundësinë që njerëzit të na dëgjojnë dhe pastaj vendimmarrja do të jetë transparente. Ju nuk mund t’ua impononi kolegëve të tjerë deputetetë marrjen e vendimit”, tha Veseli.

Diskutimi në Kuvend për cështjen e demarkacionit u hap nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, jashtë rendit të përcaktuar të ditës. Diskutimi i kryetarit të LVV-së, Visar Ymeri, që nxiti reagimet e kryetarit Veseli, u përqëndrua në kundërshtimin e ‘fuqishëm ndaj demarkacionit duke kërkuar që e marrëveshja të mos sillet në Kuvend”.

“Me asnjë kusht kjo marrëveshje për demarkacion as nuk bën të ratifikohet e as të sillet në Kuvend në formën në të cilën është. Zgjidhja është shumë e lehtë dhe e thjeshtë; marrëveshja duhet të rishikohet dhe procesi duhet të fillojë nga zero” tha Ymeri.

Sipas tij “nuk ka forcë politike në Kosovë që e kundërshton idenë e demarkacionit me Malin e Zi, por demarkacioni, tha Ymeri, nuk duhet ta cenojë interesin as të Kosovës e as të Malit të Zi”.

Marrëveshja për demarkacion e arritur vitin e kaluar ka ngjallur reagime të fuqishme të paritve në opozitë, të cilat kanë pamundësuar votimin për ratifikim, përmes përdorimit të gazit lotësjellës dhe protestave në rrugë.

Procesi është ndërlidhur së fundi edhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, një kusht ky i Komisionit Evropian kur në muajin maj hapi “dritën e gjelbër” për lëvizjen e lirë të qyetarëve të Kosovës në zonën Schengen.

Mos ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit ka shtyrë raportuesen e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave, Tanja Fajon, që të shtyjë një votim në komitetin LIBE (liritë qytetare, drejtësi dhe cështje të brendshme, për fillim të muajit shtator, sado që ishte paraparë të bëhej nga mesi i korrikut. (REL)

XS
SM
MD
LG